Inteligjenca britanike dhe amerikane thonë se Garda Revolucionare iraniane është në terren në Krime, duke mbështetur sulmet ruse me dron në Ukrainë.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Amerikës, John Kirby, tha se Irani kishte dërguar personel për të ndihmuar trupat e Vladimir Putinit në lëshimin e dronëve të prodhuar nga Irani në termocentralet e Ukrainës dhe infrastrukturën tjetër kryesore.
Kjo përfshin anëtarët e një dege të Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane – një nga organizatat paraushtarake më të fuqishme në Lindjen e Mesme – sipas raporteve të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Zbulimi i inteligjencës vjen ndërsa presidenti amerikan, Joe Biden kërkon të ngrejë presion ndërkombëtar ndaj Teheranit për t’u tërhequr nga ndihma ndaj Rusisë, raporton skynews.
Moska, ditët e fundit, i është drejtuar gjithnjë e më shumë dronëve të furnizuar nga Irani, si dhe raketave të saj të lundrimit Kalibr dhe Iskander, për të kryer një breshëri sulmesh kundër infrastrukturës ukrainase dhe objektivave joushtarake.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy tha këtë javë forcat ruse kanë shkatërruar 30 për qind të termocentraleve të Ukrainës që nga 10 tetori.
“Informacioni që kemi është se iranianët kanë vendosur trajnerë dhe mbështetje teknologjike në Krime, por janë rusët ata që po bëjnë pilotimin”, tha Kirby.
Krimea është aneksuar në mënyrë të njëanshme nga Rusia në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar në vitin 2014. /Telegrafi/