Ish-ylli i Lyonit, Juninho e ka cilësuar trajnerin Rudi Garcia si “personazhi më i madh i keq në futboll” dhe ka shtuar se ai “do të shërbejë mëngjes për Cristiano Ronaldon nëse duhet”, pas transferimit të portugezit te Al Nassr.
Trajneri francez, i cili ka punuar më parë në Lyon dhe Marseille, ka mirëpritur pesë herë fituesin e Topit të Artë, Ronaldon, në radhët e tij te skuadra nga Arabia Saudite.
Juninho pretendon se një personazh egoist do ta dojë mundësinë për të punuar me njërin nga më të mirët e të gjitha kohërave dhe do të bëjë gjithçka që është e mundur për t’i hyrë “në qejf” yllit portugez – edhe nëse kjo do të thotë t’i japë atij një trajtim preferencial që nuk shtrihet në pjesën tjetër të skuadrës së tij.
Ish-reprezentuesi brazilian ka folur për MaisFutebol rreth trajnerit francez, të cilin e ka kritikuar edhe gjatë kohës që kanë punuar së bashku në Francë.
“Garcia nuk do të guxojë të bëjë asgjë që e pengon, përkundrazi, ai do të shërbejë edhe mëngjes për Cristianon nëse duhet. Ai do të përpiqet të jetë miku i Cristianos, të jetë i afërt dhe do të bëjë gjithçka për këtë. Do të jetë një ëndërr për të që të jetë mik me Cristiano Ronaldon”, ka thënë fillimisht Juninho.
“Përvoja ime me Rudi Garcia ishte e tmerrshme. Ai është personazhi më i keq që kam takuar gjatë gjithë karrierës sime në futboll. Ai nuk di të drejtojë asgjë. Ai drejton nga frika që u imponon të tjerëve. Ai respekton vetëm njerëzit që kanë fuqi ose që ai mund të përfitojë në marrëdhënie”.
“Për Rudi Garcian nuk ka rëndësi suksesi i skuadrës dhe atmosfera në zhveshtore. Ajo që ka rëndësi është që ai të jetë në qendër të vëmendjes, edhe nëse është në kriza”.
“Por si të gjitha qeniet njerëzore shumë të ftohtë, ai njeh ata që janë më të mëdhenj se ai dhe përpiqet të përfitojë prej tij. Cristiano Ronaldo është një nga më të mëdhenjtë në historinë e futbollit, një legjendë dhe Rudi e di këtë”, përfundoi braziliani. /Telegrafi/