Site icon Telegrafi

Gara për kryetar të LVV-së në Podujevë, Maqastena akuzon Bulliqin për kërcënime e shantazhe, ky i fundit i mohon

Bedri Maqastenës i është refuzuar kandidatura për kryetar të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, me arsyetimin se “nuk është në përputhje me kriteret e deklaratës së bashkëngjitur për kandidatët për pozicionet drejtuese në LVV”.

Në një postim në Facebook, Maqastena ka shkruar se vendimi është skandaloz pasi është në kundërshtim me parimet të cilat aplikohen në Lëvizjen Vetëvendosje.

I njëjti pretendon se kundërkandidati i tij, Shpejtim Bulliqi, njëherit kryetar i Komunës së Podujevës, e ka kërcënuar dhe shantazhuar.

Lexo po ashtu Nuk certifikohet në garën për kryetar të Qendrës së LVV në Podujevë, Maqastena: 22 kryetarë të pikave të LVV janë gati të japin dorëheqje

“Kundër kandidati im iu frikësua garës e konkurrencës. Ai vazhdoj me avazin e vjetër duke kërcënuar, shantazhuar dhe në fund duke keqinformuar”, ka shkruar Maqastena në Facebook.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! është me e madhe se kjo garë! Andaj e falënderoj secilin aktivist për përkrahjen e vazhdueshme dhe e ftojë edhe KZP të rishqyrtojë vendimin e padrejtë dhe të marrë për bazë gjendjen faktike të personalitetit tim dhe bashkë me të gjithë të vazhdojmë ta mbrojmë Lëvizjen dhe të angazhohemi dite e natë ta zhvillojmë demokracinë e shëndoshë brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e cila demokraci e brendshme me këtë vendim u dëshmua se i mungon shumë partisë tonë!”.

Por, këto akuza i ka mohuar Bulliqi, i cili në një prononcim për Telegrafin ka thënë se refuzimi apo aprovimi i kandidaturave bëhet nga Komisioni Zgjedhor dhe për çështjen e Maqastenës duhet të pyetet ky organ i partisë.

“Nuk e di se ne si subjekt politik e kemi një proces të rregullt, përmes cilave filtrave kalohet deri te kandidatura dhe kemi një demokraci të brendshme, e cila i nxjerr gjërat. Janë disa kritere që duhet plotësuar deri te kandidatura. Këto të gjitha janë detyra të Komisionit të Zgjedhjeve. Unë as nuk pranoj e as nuk refuzoj kandidatura”, është shprehur Bulliqi.

Ndryshe, një ditë më parë, Maqastena ka deklaruar se 22 kryetarë të pikave të LVV-së janë gati të japin dorëheqje, pasi ai s’është certifikuar për garë nga qendra kryesore e VV-së.

“22 kryetarë të pikave po duan të japin dorëheqje, por jam duke u munduar që ata të mos japin dorëheqje. Nga qendra e VV-së kanë refuzuar që arsyet të m’i dërgojnë në mënyrë zyrtare”, pati thënë ai. /Telegrafi/

Exit mobile version