Telegrafi

Gafa e re nga Joe Biden – presidenti amerikan ngatërron presidentin egjiptian me atë të Meksikës

Pasi prokurori special amerikan, Robert Hur, ka publikuar një raport prej 345 faqesh që trajton fshehjen e dokumenteve sekrete nga presidenti amerikan, Joe Biden që nga viti 2017, presidenti amerikan ka organizuar një konferencë për shtyp.

Gjatë konferencës, udhëheqësi amerikan ka komentuar raportin e prokurorit duke theksuar se kujtesa e tij është mirë dhe nuk e ka problem të kujtojë ngjarje të rëndësishme.

Megjithatë, gjatë prononcimit Biden bëri një gabim duke e quajtur presidentin egjiptian Abdel Fattah El-Sisi si president të Meksikës.

“Fillimisht presidenti Sisi i Meksikës nuk dëshironte të hapte kufirin që ndihma humanitare të hynte në Gazë. Unë bisedova me të dhe e binda ta bënte. Kam biseduar edhe me Netanyahun që të hap kufirin. Ka shumë njerëz të pafajshëm që po vdesin nga uria dhe kjo duhet të ndalet”, tha 81-vjeçari.

Kjo duket të jetë gafa e tretë që ai ka bërë gjatë kësaj jave. Në një nga fjalimet e tij në Nevada, ai deklaroi se në vend të Emmanuel Macron është takuar me presidentin francez Francois Mitterrand.

Gafa e dytë ka të bëjë me Gjermaninë. Në vend të Angela Merkel, Biden tha se në vitin 2021 ka biseduar me kancelarin Helmut Kohl, i cili në fakt ka kohë që ka vdekur. /Telegrafi/