Telegrafi

Gabimi trashanik i De Geas në kohën shtesë i jep fund rekordit të përsosur të Man Utd nën urdhrat e Ten Hag

Rekordi i përsosur i Manchester Unitedit nën drejtimin e Erik ten Hag mori fund pas një gabimi të David De Gea në sekondën e fundit kundër Aston Villa.

Djajtë e Kuq kanë fituar çdo ndeshje nën urdhrat e holandezit Ten Hag, pasi kanë mposhtur 4-0 Liverpoolin dhe kanë fituar 4-1 ndaj Melbourne Victory dhe 3-1 ndaj Crystal Palace.

Megjithatë, këtij rekordi prej tri fitoreve i ka ardhur fundi në ndeshjen e ditës së sotme (e shtunë), edhe pse Unitedi ishte afër të fitonte edhe ndaj Aston Villas.

Unitedi ishte në epërsi 2-0 në pjesën e parë falë një goli nga Jadon Sancho në minutën e 25-të dhe një autogol nga Matty Cash në minutën e 42-të.

Por, Villa u kthye në pjesën e dytë duke shënuar fillimisht me anë të Leon Bailey (49’) për 2-1 dhe në minutat shtesë barazuan 2-2 me anë të Calum Chambers.

 

Chambers shënoi golin e barazimit me kokë në atë që ishte pak a shumë një goditje e lirë me kokë, pasi portieri De Gea bërë një gabim trashanik duke bërë një dalje të pamenduar.

Portieri spanjoll njihet për dobësinë e tij për mungesën e guximit në këto lloj skenarësh dhe është diçka për të cilën Ten Hag nuk do të jetë i kënaqur. /Telegrafi/