Partnerja e Cristiano Ronaldos, Georgina Rodriguez, i organizoi superyllit portugez një befasi për ditëlindjen e tij të 35-të, me ç’rast ia dhuroi një Mercedes G-Class Brabus.
Pas një darke në një restorant në Torino të Italisë (ku luan për Juventusin), jashtë atë e priste automjeti i rregulluar në formë dhurate.
Edhe pse është mësuar me vetura luksoze, pasi që në koleksionin e tij, ndër tjerash, ka Bugatti La Voiture Noire, McLaren e Rolls-Royce Cullinan – Cristiano dukej i befasuar me dhuratën.
Përzgjedhja e Georginas është e veçantë për Ronaldon, jo vetëm se është një dhuratë nga ajo, por edhe për faktin se janë prodhuar pak kopje të G-Class Brabus.
Njëherësh, vetura është e pajisur me një motor V12 me vëllim prej 6.3 litrash që arrin të zhvillojë deri në 900 kuaj fuqi.
Një tjetër detaj i rëndësishëm është çmimi i shtrenjtë i veturës. Ky Mercedes G-Class Brabus kushton rreth 300.000 euro. /Telegrafi/