Një zyrtar policor është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mos durimit”.
Kështu ka bërë të ditur Inspektorati Policor i Kosovës përmes një njoftimi.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë pranuar informacione nga Policia e Kosovës lidhur me shkrimet e publikuara në rrjete sociale nga zyrtari policor (S. C.) me detyrë në pikën kufitare “Kullë”.
Pas pranimit të informacioneve IPK ka filluar të ndërmarrë veprime hetimore dhe pas intervistimit të zyrtarit policor i njëjti është arrestuar dje në orët e mbrëmjes në Pejë”, thuhet në njoftim.
IPK thekson se zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me vendim të Prokurorisë Themelore në Pejë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mos durimit”.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit në Pejë, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast. /Telegrafi/