Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, është tashmë e njohur botërisht për sukseset e saj të vazhdueshme.
Këtë vit, ajo konvertoi punën e saj dy vjeçare në një album të titulluar “Future Nostalgia”, të cilin e publikoi në muajin mars të këtij viti.
Ky është albumi i dytë në karrierën e këngëtares, pjesë e të cilit janë shumë hite, këngë kryesisht të frymëzuar nga stili i muzikës në vitet 80’.
“Future Nostaglia” shkroi historinë sivjet duke u bërë albumi i parë i një artisteje femër që kryeson top listën e albumeve për dy javë rresht në Mbretërinë e Bashkuar.
Sukseset nuk ndalen këtu, pasi ky album po del të jetë albumi më i dëgjuar i vitit në platformën më të madhe të muzikës në botë, Spotify.
Kjo është e bërë e ditur nga një njoftim faqja e njohur e transmetimeve muzikore, Pop Base, të cilin më pas vet Dua e ka rishpërndarë me ndjekësit e saj në InstaStory.
“’Future Nostalgia’ nga Dua Lipa është tani albumi më i dëgjuar i një femre i vitit 2020 në Spotify me mbi 2.4 miliardë dëgjime”, thuhet në njoftim.
Ky është pa dyshim suksesi më i madh i shënuar ndonjëherë nga ndonjë artist shqiptar, teksa kujtojmë që po në listën e pesë albumeve më të dëgjuara këtë vit të artisteve femra – në vendin e tretë renditet një tjetër shqiptar.
Albumi “Heaven and Hell” i këngëtares me origjinë nga Shqipëria renditet i treti në listën e albumeve më të dëgjuara të artisteve femra në Spotify këtë vit. /Telegrafi/