Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore sot ka arrestuar personin e dyshuar mashkull me inicialet A.P., dhe të dyshuarën femër me iniciale A.S., në Komunën e Fushë Kosovës dhe të dyshuarin mashkull me iniciale M.V., pronar i një kompanie.
Të dyshuarit A.P. dhe A.S. në cilësinë e personave zyrtarë duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tyre zyrtare kanë lëshuar lejen ndërtimore për investitorin për ndërtimin e objektit shumë banesorë me afarizëm në Rr. “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë si dhe lejen ndërtimore për investitorin tjetër, duke mos i përfillur procedurat e parapara sipas Ligjit të ndërtimit dhe në kundërshtim me Udhëzimet Administrative.
Në rastin e lejes ndërtimore për kompaninë, veprimi i të dyshuarave ka shkaktuar dëm për banorët e dy objekteve ekzistuese duke mos respektuar distancën e ndërtimit.
I dyshuari M.V. në cilësinë e pronarit të kompanisë në rastin e parë dhe ndërtuesit të objektit në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë edhe pse ishte pajisur me leje ndërtimi nga të dyshuarit në kundërshtim me Ligjin e Ndërtimit dhe udhëzimet administrative, i njëjti nuk ju ka përmbajtur as kësaj leje ndërtimi duke bërë tejkalime të lejes gjatë ndërtimit të objektit si dhe nuk ka përfillur urdhëresat e Inspektoratit të Ndërtimit për ndërprerjen e punimeve të kundërligjshme.
Të dyshuarit me iniciale A.P. dhe A.S. me veprimet e tyre dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar” ndërsa i dyshuari me iniciale M.V. dyshohet se ka kryer veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”.
Pas intervistimit personat e dyshuar me aktvendim të prokurorit kompetent dërgohen në ndalim për 48 orë për procedura të mëtejme./Telegrafi/