Fushata për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut është futur në ditët e fundit. Kandidatët për president edhe sot kanë vazhduar aktivitetet e tyre dhe takimet me qytetarët.
Kandidati për president, Stevo Pendarovski, në tubimin në Gostivar, theksoi se rezultatet e mëdha të arritura në pesë vitet e fundit janë kthimi i lirisë dhe demokracisë, ndërtimi i një shoqërie moderne të qytetarëve të barabartë dhe përparimi në procesin e integrimeve evropiane. Sipas tij, pas anëtarësimit në NATO, ka progres në procesin e integrimit evropian, i cili tani është i bllokuar nga OBRM-PDUKM.
“Vjen në Shkup, në Maqedoni, miku i tyre nga Gjermania, nga partia e tyre simotër CDU. Njeriu është ndër më me ndikim, është në krye të asaj partie politike gjermane dhe thotë “pas bisedimeve me kryesinë e VMRO-DPMNE-së pata përshtypjen se janë për ndryshimet kushtetuese”. Ky gjerman ka pasur një takim me miqtë e tij dhe ata i kanë pranuar atë që nuk e kanë pranuar me vite para popullit maqedonas dhe qytetarëve maqedonas”, deklaroi Stevo Pendarovski.
Nëse i mbyllni sytë para krimit dhe korrupsionit, bëheni bashkëpunëtor, deklaroi kandidatja për presidente Gordana Siljanovska Davkova në tubimin në Veles. Ajo shtoi se kundërshtari i saj Stevo Pendarovski shpesh fotografohej në shoqërinë e kriminelëve. Ajo theksoi se është akuzuar rrejshëm nga Pendarovski se është kundër decentralizimit që nga viti 2004. Siljanovska shtoi se gjithmonë ka qenë për decentralizim, por është kundër, siç shtoi, organizimit territorial artificial dhe jo-natyror.
“Brenda natës, pa pëlqimin e qytetarëve, pa pëlqimin e pushtetit vendor, pa respektuar gati 33 referendume në nivel lokal për ruajtjen e statusit të komunave, është bërë inxhinieri demografike dhe zgjedhore. Zonat rurale iu shtuan artificialisht zonave urbane”, deklaroi Gordana Siljanovska Davkova.
Kandidati për president, Stevço Jakimovski, struganëve u ka premtuar mbështetje për zhvillimin e turizmit me qëllim të zhvillimit ekonomik të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Sipas tij, Strugës i nevojiten hotele me 5 yje, qendra spa dhe nivel i lartë i turizmit.
“Atë që duhet t’ua premtojmë struganëve është mbështetja e mëtutjeshme për zhvillimin e turizmit në Strugë. Të ketë mbështetje të përzemërt nga shteti që këtu të ndërtohen hotele me 5 yje, të ndërtohen spa qendra, këto të kemi turizëm të lartë që do të thotë se kur të kemi ofertë cilësore turistike, ajo do të thotë që edhe faktorët e tjerë për punësim do të angazhohen. Ajo nënkupton prodhimtari të ushqimit, ajo nënkupton të gjithë shërbimet tjera të cilat janë të nevojshme”, deklaroi Stevço Jakimovski.
Kandidati për president i Frontit Evropian, Bujar Osmani gjatë improvizimit të seancës parlamentare ku ai u zgjodh për president nga ana e Kuvendit tha se ndryshimet kushtetuese dhe ndarja e komunitetit bullgar dhe maqedonas paraqet fitoren më të madhe në historinë e popullit maqedonas.
“Për komunitetin maqedonas sepse për herë të parë në dokumentin më të lart shtetëror sepse për herë të parë komuniteti bullgar dhe komuniteti maqedonas as shkruhen si dy komunitete të veçanta dhe kjo njëherë e përgjithmonë i ndalë dilemat dhe interpretimet e ndryshme mbi çështjet e identitetin dhe kjo është fitorja më e madhe në historinë e komunitetit maqedonas”, tha Bujar Osmani.
Kandidatja për president nga radhët e partisë “E Majta”, Biljana Vankovska përmes në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, ka premtuar se do të angazhohet për zvogëlimin e buxhetit ushtarak, ndërkaq mjetet e tjera do t’i transferojë për arsim. Gjithashtu, premtoi se do të marrë masa edhe për parandalimin e ikjes së të rinjve.
“Çështja është që të mos u jepni shpresë të zbrazët, por të filloni t’i ndryshoni gjërat. Për shembull, e zvogëlojmë buxhetin ushtarak, i transferojmë mjetet në arsim, e dimë se shkollat i kemi katastrofë, rrënohen, tualete të tmerrshme, nuk ka materiale mësimore kështu me radhë. Më pas sjellje të ndjenjës së rregullit dhe rendit, pasi edhe ata të cilët nuk janë të rrezikuar në aspektin social, ikin nga Maqedonia”, deklaroi Biljana Vankovska.
Kandidati i VLEN-it për president, Arben Taravari në konferencën e sotme për shtyp tha se në këto zgjedhje, ka bashkim të plotë të opozitës shqiptare dhe kjo garanton fitore, për shkak se në të gjitha zgjedhjet, shumica e votave i kanë takuar opozitës.
“Zgjedhjet presidenciale mbahen të mërkurën, më 24 prill, gjashtë është numri i Ndryshimit që VLEN. Kudo që po shkojmë në fushatë, dhe kemi shkuar në të gjithë vendin, po shikojmë se problemi më i madh është varfëria, shtrenjtimi i çmimeve, papunësia apo rrogat e vogla. Kushtet e jetesës janë bërë më të vështira. Kjo shkakton edhe problemin tjetër shumë të madh që kemi. Ai është largimi i të rinjve. Të rinjtë largohen pikërisht për shkak se rrogat janë të vogla e se është vështirë të gjesh punë të mirë”, tha Taravari.
Kandidati për president, Maksim Dimitrievski, në një paraqitje në Kumanovë tha se janë duke mbajtur disa takime me qytetarë ku afirmojnë njerëz të rinj në politikë dhe u japin mundësi njerëzve që më parë nuk kanë pasur mundësi t’i zbatojnë njohuritë e tyre.
“Si kandidat për president, dua të shfrytëzoj rastin për të nxjerrë në pah një zgjidhje specifike. Në vitin e parë të qeverisë, sepse qeveria e ardhshme nuk mund të formohet pa e ditur se tepricat buxhetore gjatë vitit 2024 me ribalancimin do të parashikojnë pagesën e 13 pensioneve që do të jenë më të larta për ata me pensionin më të ulët”, tha Dimitrievski./Telegrafi/