Telegrafi

Fushata e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Ahmeti: Po më befason qasja e butë e BE-së

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se Serbia në vazhdimësi ka lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke shtuar se shteti serb ka humbur qysh në fillim betejën kundër anëtarësimit të Kosovës në këshill.

Ahmeti në intervistën e dhënë për Telegrafin ka thënë se Serbia haptazi ka lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

“Që nga fillimi, Serbia ka pasur një lobim agresiv kundër anëtarësimit tonë, kujtohet në periudhën, fazën e parë mund ta quaj kemi pasur një një betejë ligjore, të cilën ata e humbën. E, prej asaj kohe e deri më sot, na duhet ta pranojmë që kemi pasur shkelje të vazhduar të marrëveshjes bazike, kjo kulmoi me sulmin terrorist, me agresionin e sulmit terrorist që Serbia bëri me 24 shtator të vitit të kaluar”, është shprehur.

Megjithatë, Ahmeti thotë se nuk befasohet që Serbia po vazhdon me fushatë kundër Kosovës, por  më shumë e shqetëson qasja e BE-së ndaj këtij shtetit.

“Çfarë më befason mua është qasja e butë e Bashkimit Evropian, e që nuk do të duhej të ishte e tillë, sepse po shihet tashmë. Ne e kemi ditur, besoj që është e qartë edhe për ata, që me një qasje të përkëdheljes ndaj Serbisë nuk mund të sigurohet serioziteti i saj për respektimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të cilat i kemi arritur”, potencoi ai.

Gjatë intervistës, zëvendësministri ka shpjeguar se cilat janë fazat tjera drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Më 27 mars, Kosova ka kaluar me sukses votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, duke u hapur kështu rruga për fazat tjera drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në këtë institucion.

Lexo po ashtu Cilat janë fazat tjera finale drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës - zëvendësministri Ahmeti shpjegon procedurat

Raporti i raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, që rekomandonte Këshillin e Evropës që ta ftojë Kosovën për t’u bërë anëtare mori 31 vota për, 4 kundër dhe 1 abstemin. Kësisoj, ky raport u miratua nga Komisioni për Çështje Politike. /Telegrafi/