Ish-kampioni i botës në kategorinë e peshave të rënda në boks, Tyson Fury, thotë se duhet t’i mposhtë Anthony Joshuan dhe Deontay Wilderin, në mënyrë që të konsiderohet një legjendë.
28-vjeçari AJ posedon titujt WBA, IBF dhe WBO, derisa amerikani 32-vjeçar është kampion në kategorinë WBC.
Ndërsa Fury do të nisë rikthimin e tij nga meçi i të shtunës (9 qershor) në Manchester Arena, ku do të përballet me boksierin shqiptar, Sefer Seferi.
“Duhet t’i mposht që të dy, në mënyrë që definohet karriera ime dhe të shikohem si një kampion legjendar”, ka thënë Fury për BBC Sport.
29-vjeçari nuk ka zhvilluar një meç që nga nëntori i vitit 2015, kur i fitoi titujt IBF, WBA dhe WBO nga Wladimir Klitschko.
Boksieri nga Mancesteri, i cili nuk ka asnjë humbje në 25 duele, thotë se dëshiron të tregojë se Joshua dhe Wilder janë boksierë më të dobët se ai në ring.
“Çfarëdo që të bëjnë ata, unë do të përshtatem. Nuk mendoj se ata mund të më bëjnë ballë mua”, ka deklaruar Fury. /Telegrafi/