Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) e quajti situatën në Rripin e Gazës “të tmerrshme” dhe paralajmëroi se furnizimet thelbësore po mbaronin pasi Izraeli vendosi një bllokadë totale në territor.
Situata është “shkatërruese” në këtë moment në Gaza, tha në një intervistë të enjten drejtori i WFP-së për Palestinën, Samer Abdeljaber, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ne po shohim mungesa të karburantit, ujit dhe energjisë elektrike. Po shohim strehimoret tona të mbipopulluara. Ne nuk kemi kapacitet.
Ai shtoi: “Furrat e bukës nuk do të mund të sigurojnë ushqim për nesër. Kështu që nesër do të jetë një situatë shumë e vështirë për njerëzit në strehimore dhe njerëzit jashtë strehimoreve”.
“Është një situatë e tmerrshme në Rripin e Gazës që ne po shohim të evoluojë me furnizimin e kufizuar të ushqimit dhe mbarimit të shpejtë të ujit”, tha për Reuters, Brian Lander, nënkryetari i emergjencave në WFP.
“The situation is devastating. We are seeing shortages of fuel, water and electricity. We are seeing overcrowded shelters.”@SamerWFP on @CBCNews Power and Politics about the devastating situation in Gaza and the #WestBank. pic.twitter.com/g9cwpDE8lc
— WFP Media (@WFP_Media) October 12, 2023
Ai i kërkoi Izraelit dhe Egjiptit të krijojnë korridore të sigurta për punonjësit e agjencisë që të jenë në gjendje të sjellin furnizime në Gaza dhe të sigurohen që stafi i OKB-së mund të punojë i sigurt në zonë.
Ndërkohë Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) ka thënë se karburanti për gjeneratorët e spitaleve në Gaza do të mbarojë së shpejti, duke shtuar se rezervat e tij të ndihmës dhe ilaçeve brenda Gazës janë bllokuar për shkak të mungesës së kalimit të sigurt. /Telegrafi/