Site icon Telegrafi

Fundjava vendimtare për LVV-në e LDK-në, a do të ketë marrëveshje para 3 shkurtit?

Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë për arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

Seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku do të votohet për qeverinë e re, është vendosur të mbahet të hënën më 3 shkurt në orën 11:00. Kjo seancë u caktua pas kërkesës së mandatarit për formimin e Qeverisë, Albin Kurti.

Në rast se LVV dhe LDK as brenda këtyre dy ditëve nuk arrijnë një marrëveshje, atëherë është përfolur mundësia që Kurti të krijojë një Qeveri të pakicës.

Sipas Kushtetutës, në rast se Kurti dështon të hënën në formimin e Qeverisë, atëherë Lëvizja Vetëvendosje ka edhe dhjetë ditë shtesë për ndonjë marrëveshje me ndonjërin nga subjektet politike.

Ndërkaq Albin Kurti nuk do të ketë të drejtën të jetë sërish mandatar për kryeministër, pasi që kjo pozitë sipas Kushtetutës i takon dikujt tjetër nga radhët e LVV-së, shkruan Telegrafi.

Lexo po ashtu Zyrtare: Më 3 shkurt mbahet seanca për formimin e Qeverisë

“Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në nenin 95 të Kushtetutës.

Pavarësisht kësaj, LVV dhe LDK akoma janë duke u përpjekur që të shterojnë të gjitha mundësitë për të arritur një marrëveshje për koalicion qeverisës, por ajo që është duke i penguar drejt kësaj është pozita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, pozitë kjo të cilën tashmë është nën udhëheqjen e LVV-së, pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës.

LDK është e vendosur që ta ketë këtë post. Nënkryetari i këtij subjekti, Lutfi Haziri ka thënë se i vetmi dallim që ka mbetur mes tyre dhe LVV-së, është ndarja e përgjegjësive udhëheqëse, që LDK ta udhëheq legjislativin, e partia tjetër ekzekutivin, shkruan Telegrafi.

“Jemi në përpjekje që sot, nesër e pasnesër, t’i realizojmë angazhimet tona në definimin e rolit dhe përgjegjësive tona kushtetuese, duke u pajtuar që Qeverinë e udhëheq LVV-ja dhe mandatari apo kryeministri në ardhje Albin Kurti, ndërsa roli i LDK-së, i fokusuar të paktën në këtë fazë të jetë në Kuvendin e Kosovës, ky zaten është dallimi i vetëm që ka mbet me u definu”, deklaroi Haziri.

E sa i përket mundësisë së një Qeverie të pakicës, Haziri u shpreh se LDK-ja nuk do ta votonte në qeveri të pakicës dhe se një qeveri e tillë nuk ka traditë të funksionimit në Kosovë.

Në anën tjetër Albin Kurti tashmë ka marrë mbështetjen e partive minoritare, duke përfshirë edhe Listën Serbe, e cila është deklaruar se nuk do ta frenojë formimin e qeverisë së re.

Ndryshe deri më tani dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë deklaruar se assesi nuk do ta votojnë Qeverinë “Kurti” e as nuk do të jenë pjesë e saj. /Telegrafi/

Exit mobile version