Reshje shiu do të ketë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, por nuk do të ketë vërshime në lumenj.
Kështu ka thënë në një prononcim për Telegrafin, Bashkim Kastrati nga sektori për Hidrologji dhe Prognoza Hidrologjike në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës.
“Reshje do të ketë në territorin e Kosovës, por nuk do të ketë pasoja në vërshime në lumenj”, ka thënë Kastrati.
Ndryshe, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se fundjava parashihet të ketë kushte tjera meteorologjike, për dallim nga ditët paraprake, si pasojë e rënies së presionit atmosferik dhe vranësirave konvektive të cilat parashihen të sjellin reshje të intensitetit të dobët deri mesatar.
Në shumë pjesë të territoreve të izoluara parashihet të ketë zbrazje elektrike.
Reshjet parashihen të vijnë gjatë natës së premtes, për të vazhduar edhe gjatë vikendit në periudha të ndryshme kohore.
Do të fryjë erë nga drejtimi i perëndimit dhe veriperëndimit e lehtë dhe lokalisht e fortë. /Telegrafi/