Raportet e ftohta prej kohësh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama duket se nuk kanë lëvizur pozitivisht as në vizitën e fundit që ky i fundit pati në Kosovë.
Kurti me Ramën nuk u takuan as në Prishtinë e as në Prizren ku u diskutua për rolin e Lidhjes së Prizrenit.
Nga Zyra e Kryeministrit kanë dhënë një shpjegim për këtë, teksa s’kanë harruar as të ironizojnë, duke thënë se Rama po i takon ata “që ka nevojë t’i rregullojë raportet”.
“Në bazë agjendës së deritanishme, duket që në Prishtinë, kryeministri i Shqipërisë Rama, po i takon ata me të cilët konsideron që ka nevojë t’i rregullojë raportet”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
“Cinik, i gabuar dhe krejt kot“, kështu e ka quajtur analisti Ylli Hoxha reagimin e zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ku ky i fundit deklaroi se Rama po i takon ata “që ka nevojë t’i rregullojë raportet”.
Analistët në Debat Plus të TV Dukagjinit i kanë komentuar këto zhvillime mes dy kryeministrave.
Analisti Ylli Hoxha tha se kryeministri i vendit, Albin Kurti, është dashur ta presë dosido kryeministrin shqiptar, Edi Ramën, pavarësisht gjithçkaje, sepse Shqipëria është shteti që Kosova ka më së shumti interesa dhe ndërlidhje se me këdo tjetër.
“Kryeministri Kurti është dashtë me prit dosido Ramën sot. Pa marrë parasysh krejt konfliktet, është e papranueshme që një kryeministër i një shteti evropian të vijë në Prishtinë, e kryeministri jonë të jetë në Prishtinë e të mos pranojë. Lëre më kur bëhet fjalë për shtetin e Shqipërisë, që kemi interesa të mëdha dhe ndërlidhje se më këdo tjetër”, u shpreh Hoxha.
“Ky manifestim dhe ky tregim i zëdhënësit të qeverisë, Përparim Kryeziut, është krejtësisht i gabuar, cinik dhe krejt kot. Nuk guxon me i ndodh Kosovës dhe Shqipërisë kjo situatë. Është e papranueshme”, deklaroi Hoxha.
Analisti Imer Mushkolaj për “ftohjen” mes dy kryeministrave të dy vendeve shqiptare, ka deklaruar se nuk është veç një fajtor këtu, por më shumë është një betejë mes dy kryeministrave, teksa ka shtuar se beteja e tyre është më së paku ideologjike dhe më shumë e përpjekjes për dominim politik të çfarëdo forme.
“Kjo ftohje nuk është e para, po doket se ka kaluar si një grip ose flame. Nuk ka mbetur veçse si ftohje dhe e kemi parë në të kaluarën, manifestim i përplasjeve mes Kurtit dhe Ramës për çështje të ndryshme, veçanërisht çështje që kanë të bëjnë me Serbinë, zbatimi i marrëveshjes ose mënyrën e zbatimit të Asociacionit e Komunave me shumicë serbe. Në këtë raport nuk është veçse një fajtor, në kuptimin se është një betejë mes dy kryeministrave për arsyeje më së paku ideologjike dhe më shumë të përpjekjes për dominim politik në çfarëdo forme. Veçanërisht, duke pasur parasysh çasjen e kryeministrit Rama, i cili shpeshherë ka ditur të vetofrohet ose të propozojë zgjidhje për probleme që nuk janë mirë pritur nga kryeministri Kurti”, ka deklaruar Mushkolaj në Televizionin Dukagjini.
Ai potencoi se kjo “ftohje” e raporteve mes dy kryeministrave nuk është e para, pasi edhe kohë më parë ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka pasur me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, në kohët e mëparshme.
“Nuk është e re kjo çështje se varësisht se kush ka qenë udhëheqës në Shqipëri, ka pasur probleme me udhëheqës në Kosovë”, deklaroi ai.
Edhe Belgzim Kamberi nga Instituti “Mousine Kokalari” është shprehur se beteja politike mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, po shtohet.
“Fushëbeteja politike po thellohet çdoherë më shumë midis Ramës e Kurtit dhe në këtë drejtim besoj që kjo nuk është një betejë politike vetëm mes kryeministrit të Kosovës dhe të Shqipërisë, por një betejë politike për me qenë qendra politike e shqiptarëve në rajon,” tha Kamberi në “Debat Plus”.
Sipas Kamberit, kryeministri Kurti ka fituar teren edhe në Maqedoninë e Veriut e po ashtu edhe në Luginë të Preshevës.
“Dhe në këtë drejtim kjo fushëbetejë po thellohet, e pamë në Maqedoninë e Veriut ku zotri Kurti ka fituar terren atje tashmë ku aleatët e tij janë pjesë e pushtetit, ka fitu terren në Luginë të Preshevës, ka fitu terren në raport me politikën e jashtme të Shqipërisë në Luginë të Preshevës, njëherë me deputetin tash edhe me Komunën e Preshevës, Komuna e Bujanocit i ka ik, e pamë se e uroj edhe kryetarin e Ulqinit.”
Dhe se cila është hapësira e vetme që Kurti nuk po mund të depërtojë, Kamberi thotë se është Shqipëria.
“Sipas analizës time është që ka një betejë politike për me qenë qendra e shqiptarizmës në rajon mes Ramës dhe Kurtit, kjo është zgjerua dhe është bërë çdoherë më e fuqishme në hapësirat e shqiptarëve te ish-Jugosllavisë, ku zotëri Kurti po fiton teren në raport me zotërinë Rama. Kjo fushëbetejë politike është bërë edhe nga Rama edhe nga Kurti,” tha Kamberi.
Analisti Ismail Tasholli i ftuar në “Debat Plus” ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e mbron flamurin lara-lara, Lidhja Demokratike e Kosovës po e mbron Bashkimin Kombëtar, kurse Partia Demokratike e Kosovës pronën publike.
“Vetëvendosja po e mbron flamurin lara-lara, LDK-ja Bashkimin Kombëtar e PDK-ja pronën publike, kjo është atipizmi i partive politike që deri sot janë identifiku me pozicione krejt tjera,” ka thënë Tasholli.
Sa i përket politikës dhe publikut, sipas Tashollit, shpeshherë Kosova e Shqipëria kanë instrumentalizuar njëra-tjetrën për të përçuar mesazhe të brendshme ose të caktuara politike.
“Shpeshherë ata andej kufirit kur e kanë sulmuar zotin Rama për të njëjtat veprime e kanë arsyetu dhe kursy zotërinë Kurti ose anasjelltas këtu, ata që e kanë sulmu zotërinë Kurti për të njëjtat arsye për të njëjtat kritika e kanë kursy zotërinë Rama, kjo i bie që ne deri diku e kemi përdor njëri-tjetrin si vegël, duke qenë që nuk e kemi jetuar përditshmërinë as administrative as politike të njëri-tjetrit e këtu duhet të jemi të kujdesshëm në këto diskutime”, u shpreh Tasholli.
Sa i përket “Ftohjes e ngrohjes” me LDK-në, Tasholli thotë se sot njerëzit kryesorë të partisë LDK nuk kanë marrë pjesë në konferencë për të bërë ndëgjime ndaj kryeministrit Rama.
“Për shkak të revoltës dhe një trashëgimie të tyre politike që mendojnë që zotëri Rama në interpretimet e veta ka qenë shumë brutal ose PS-ja apo cilado qoftë, Rama në themelimet e VV ka qenë mysafir te ta dhe e ka quajt VV-në pasuri kombëtare”, deklaroi Tasholli./Telegrafi/