Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti dhe kandidatja për Presidente, Vjosa Osmani u kanë dërguar letër partive politike ku i ftojnë që me datë 15 mars (e hënë) të takohen për të diskutuar për konstituimin e institucioneve të vendit.
Por deri tani përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës që ka shprehur gatishmërinë të jetë pjesë e këtyre diskutimeve, dy partitë tjera PDK dhe AAK ende nuk kanë vendosur nëse do t’i përgjigjen pozitivisht kësaj ftese.
Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj në një deklaratë për Telegrafin tha se ende nuk kanë marrë ndonjë vendim.
“Nuk kemi vendim ende, pritet të diskutohet në nivelet vendimmarrëse të AAK-së që a do të jemi pjesë e konsultimeve për formimin e qeverisë, dhe me kohë do të informoheni”, tha Lekaj.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit ka shënuar fitore bindëse, duke siguruar 58 ulëse në legjislaturën e re.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur më 4 mars rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Sipas rezultatit përfundimtar, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse në kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës, 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë deputetë.
Për formim të Qeverisë në Kosovë duhen të sigurohen 61 vota në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/