Parlamenti rus po miraton me shpejtësi një ligj të ri që do t’i lejojë Vladimir Putinit dhe Kremlinit të dërgojnë disa qindra mijëra njerëz të tjerë në luftë kundër Ukrainës. Shumë besojnë se lufta totale është në rrugë e sipër.
Andrey Kartapolov, kreu i komitetit të mbrojtjes të Dumës, njoftoi se këto ndryshime ishin përgatitur për një luftë të madhe dhe mobilizim të përgjithshëm.
“Këto amendamente janë shkruar për një luftë të gjatë dhe mobilizim të përgjithshëm. Dhe era e asaj lufte të madhe tashmë ndihet”, tha Kartapolov.
Edhe pse ushtria ukrainase ka rimarrë gradualisht territoret e pushtuara nga agresorët rusë, Putini nuk duket se po mendon për paqen, pavarësisht presionit në rritje të sanksioneve që kërcënojnë seriozisht ekonominë ruse.
Perëndimi mbetet i bashkuar në mbështetjen për Kievin dhe rebelimi i organizuar së fundmi nga Yevgeny Prigozhin, kreu i mercenarëve të Wagnerit, jep shpresë se makineria luftarake e Kremlinit së shpejti do të dobësohet, sipas Financial Times.
Megjithatë, nga perspektiva ruse, situata është krejt ndryshe. Ata besojnë se mund të zgjasin luftën falë funksionimit të vazhdueshëm të fabrikave ushtarake që përdorin komponentë nga Kina dhe burime të tjera.
Pavarësisht sanksioneve, Kremlini ka ende shuma të mëdha parash në dispozicion falë fitimeve nga sektori i energjisë dhe përshtatshmërisë së eksportuesve rusë.
Putini ende mendon se Rusia mund të mobilizojë dukshëm më shumë njerëz sesa Ukraina. Ligji i ri lejon Kremlinin të shmangë mobilizimin zyrtar. Kufiri i sipërm i moshës për shërbimin ushtarak po rritet nga 27 në 30 vjeç dhe qeveria ruse mund të mobilizojë në heshtje ushtarë të rinj sipas nevojës.
Janë ashpërsuar edhe gjobat për refuzimin e shërbimit ushtarak. Kremlini po investon gjithashtu shumë në zgjerimin e prodhimit të armëve për të ndërtuar një ushtri më të madhe dhe më të pajisur.
Rusia vazhdon të përpiqet të dobësojë ekonominë e Ukrainës duke ndërprerë burimet e të ardhurave dhe duke shkatërruar infrastrukturën civile. Moska shpreson se rindërtimi i shpejtë i ushtrisë ruse dhe rënia e ekonomisë ukrainase do të dobësojë mbështetjen e Perëndimit për Kievin.
Kërcënimet për përshkallëzimin e konfliktit drejt territorit të NATO-s nëpërmjet Bjellorusisë përdoren gjithashtu si një mjet për të arritur këto qëllime. Vlerësimet janë se obsesioni i Putinit për shkatërrimin dhe nënshtrimin e Ukrainës do të zgjasë për aq kohë sa ai të jetë në pushtet. /Telegrafi/