Site icon Telegrafi

Fshatrat shqiptare të Ukrainës

Ruajtja e traditës nga shqiptarët e Ukrainës

Historia dhe kultura e shqiptarëve të Ukrainës janë përmbledhur në një monografi voluminoze që mban firmat e disa prej studiuesve të Universitetit të Shën Petërburgut në Rusi.

Libri me dy vëllime është rezultat i shumë viteve punë kërkimore në terren, hulumtim arkivor dhe përmbledhje e të gjitha materialeve shkencore të akumuluara për shqiptarët që jetojnë në Ukrainë.

Studimi ndalet në aspekte të ndryshme të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës, vazhdimësinë e praktikave të ndryshme të traditës dhe ekzistencën e realiteteve etnike në kontekstin e kontakteve etnike shumëplanëshe që ndodhën në të kaluarën dhe që vazhdojnë edhe në të tashmen, si në Ballkan, ashtu edhe brigjet e detit Azov, ku jeton komuniteti shqiptar.

Falë kësaj pune kërkimore janë mbledhur dhe analizuar materiale të rëndësishme për historinë, etnografinë dhe gjuhën në jug të Ukrainës, në territorin e Krimesë dhe në vendet e Ballkanit (Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Turqia), si dhe në vendbanimet e arbëreshëve të Italisë. Monografia me dy vëllime dhe rreth 1200 faqe, të ilustruara me foto dhe dokumente, pritet të vijë së shpejti edhe në gjuhën shqipe.

Aleksandër Novik, njëri prej autorëve, vitin e kaluar është vlerësuar nga Akademia e Shkencave me çmimin “Kërkuesi i ri më i suksesshëm në fushën e shkencave shoqërore albanologjike”. /TemA TV/

Exit mobile version