Një nënë e dy fëmijëve po rrezikohet të dënohet me burgim pasi që refuzoi t’i dërgojë fëmijët në shkollë, por rrëfimi i saj nuk përfundon me kaq – ajo rrezikohet të dënohet edhe me një gjobë në vlerë prej 3 mijë eurove.
Katy Simpson, 29-vjeçe, ka vendosur t’i mbajë në shtëpi – të birin Damien dhe vajzën Alisha (që të dy 6 vjeç), transmeton Telegrafi
Ajo po frikësohet se nëse infektohet me coronavirus, mund të vdesë nga astma, diabeti dhe problemet me gjëndrën tiroide.
Siç raporton Daily Mail, ajo shumë pak ka dalë nga shtëpia që kur ka shpërthyer pandemia e coronavirusit në mars në Britani të Madhe.
E një zyrtar i shkollës ku ndjekin fëmijët e saj mësimet, i ka dërguar një paralajmërim të gjykatës se duhet t’i dërgojë fëmijët në shkollë.
Ajo u kishte thënë mësuesve të shkollës në qytetin Redcar në Yorkshire, se do të “vdesë nëse preket nga infeksioni i coronavirusit”.
Sipas ligjeve që janë në fuqi në Britani të Madhe, prindërit që nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë pa ndonjë arsyetim, thyejnë ligjin dhe rrezikohen të dënohen me para por edhe me burgim.
Megjithatë Simpson thotë se nuk e ka ndërmend t’i kthejë fëmijët e saj në shkollë, edhe pse aktualisht është e papunë dhe rrezikohet të dënohet deri në tre muaj me burgim. /Telegrafi/