Telegrafi

I frikësohen kundërofensivës ukrainase, rusët fillojnë evakuimin e 60 mijë personave nga rajoni i Khersonit  

AFP raporton se zyrtarë pro-rusë në rajonin e okupuar të Ukrainës, Kherson, kanë filluar me evakuimin e civilëve.

Këta zyrtarë pro-rusë në Kherson janë vënë në këtë funksion nga Moska, kurse është konfirmuar evakuimi i civilëve, transmeton Telegrafi.

Evakuimi ka filluar në momentin kur forcat ukrainase po avancojnë në kundërofensivën e tyre në jug të vendit.

Vladimir Saldo, guvernatori pro-rus i Khersonit, sot ka thënë se civilëve u është ndaluar hyrja në këtë rajon në një periudhë kohore prej shtatë ditësh.

Kujtojmë që mbrëmë zyrtarët pro-rusë kanë paralajmëruar për situatë të vështirë, si pasojë e kundërofensivës ukrainase që pritet të zgjerohet në të “ardhmen e afërt”.

Moska mbrëmë ka konfirmuar se do të evakuohen qytetet në anën e djathtë të lumit Dnipro, kurse sot në mëngjes zyrtari pro-rus i Khersonit, Vladimir Saldo, pranoi se do të evakuohen 60 mijë persona që do të dërgohen në Rusi dhe në anën e majtë të lumit Dnipro.

Sipas tij, evakuimi do të zgjasë gjashtë ditë, kurse një zyrtar tjetër pro-rus, Kiril Stremousov theksoi se “beteja për Khersonin do të fillojë në një të ardhme të afërt”.

“Kërkoj nga ju që fjalët e mia t’i merrni me seriozitet dhe të kuptoni që duhet të fillojë sa më shpejt evakuimi”, shtoi Stremousov. /Telegrafi/