Site icon Telegrafi

Frika nga asimilimi po troket në dyert e komunitetit shqiptaro-amerikan

Përpjekjet e shumta dhe përkushtimi pedagogjik për t’ju mësuar fëmijëve në diasporë, gjuhën shqipe është synimi i vetëm, i përfaqësuesve të shkollës shqipe në Bronx të New Yorkut, e po ashtu edhe i prindërve, i komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi, dhe në veçanti i shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës në New York.

Frika nga asimilimi tek gjeneratat e reja të komunitetit shqiptarë në Amerikë, ka bërë që të gjitha institucionet relevante duke përfshirë, drejtorin e shkollës shqipe në Bronx të New Yorkut, bashkë me bordin përkatës, prindërit, biznesmen të ndryshëm të komunitetit, dhe njerëz të vullnetit të mirë, të bëhen bashkë, që në mënyrë urgjente të merren masat që sado pak të ndalohet ky fenomen negativë.

Me këtë rast, drejtori i shkollës shqipe në Bronx të New Yorkut, vend ku që më së shumti jetoj komuniteti shqiptar, Mustafë Qosja, tha se në vitin 2011, kur është themeluar kjo shkollë, kanë vijuar mësimin shqip hiq më pak se 180 nxënës, kurse sot, ai i shqetësuar, theksoi se vetëm 25 nxënës shqiptarë janë pjesë e shkollës që ai udhëheq.

I shqetësuar për këtë fenomen negative, drejtori Qosja kërkoj nga i gjithë komuniteti shqiptarë, që të bëjnë të pamundurën, dhe t’i sjellin fëmijët e tyre në mësimin plotësues shqip, sepse, sipas tij, vetëm në këtë mënyrë mund ta pengojmë asimilimin tek gjeneratat e reja.

I vetëdijshëm për angazhimet e prindërve të fëmijëve, dhe kohën mjaftë të limituar të tyre, drejtori Qosja, kërkoj edhe një herë nga prindërit, që fëmijët të jenë pjesë e kësaj shkollë shqipe, për shkak se siç tha ai “vetëm bashkë, mund ta parandalojmë asimilimin, i cili po troket në dyert e komunitetit shqiptaro-amerikan”.

“Nevoja e mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët, është një mundësi e mirë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, e cila konsiderohen si bazë e forcimit të identitetit kombëtar shqiptar”, tha drejtori Qosja, gjatë një vizite që kësaj shkolle i bëri ambasadorja Teuta Sahatqija, shefe e Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në New York, bashkë me këshilltarin Lulzim Krasniqi.

I shqetësuar nga rënia drastike e numrit të fëmijëve për të mësuar gjuhën, historinë dhe kulturën shqipe, ai kërkoj nga Konsullja e përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York, Teuta Sahatqija, që bashkë ta gjejnë një zgjidhje për vetëdijesimin e komunitetit shqiptar në këtë pjesë të Amerikës, në mënyrë që të rritet numri i fëmijëve, të cilët duhet ta vijojnë mësimin plotësues shqip.

Megjithatë, edhe përkundër vullnetit të mirë të tij, i cili për 11 vjet ushtron detyrën e drejtorit të kësaj shkolle në mënyrë vullnetare, pra pa asnjë kompensim financiar, ai përmendi vështirësitë financiare që shkolla shqipe ka në vazhdimësi, e cila aktivitetin e saj e zhvillon vetëm në bazë të vullnetit të komunitetit shqiptarë, që ndihmojnë sadopak në përmirësimin e kushteve të shkollës, dhe në pagesat solide të mësimdhënësve të kësaj shkolle.

Përpos, kërkesën për bashkëpunim lidhur me vetëdijesimin e komunitetit shqiptar, sa i përket rritjes së numrit të fëmijëve që duhet ta vijojnë shkollën shqipe, ai kishte edhe një kërkesë tjetër për ambasadoren Sahatqija, lidhur me realizimin e Festivalit të Fëmijëve, që kësaj here do ta organizoj shkolla shqipe në Bronx, që do të mbahet me 2 qershor, dhe ku do të marrin pjesë afër 150 fëmijë shqiptar, nga shtetet e ndryshme të Amerikës.

Për këtë çështje, anëtari i bordit të shkollës shqipe Luz Thaqi, tha se organizimi i këtij Festivali, tani më, të gjashtit me radhe, duhet të jetë nën patronatin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Bordin e Festivalit dhe drejtuesit e shkollave shqipe në treshtetshin: New York, New Jersy dhe Connecticut.

“Në këtë Festival, presim që të participojnë edhe Shkollat Shqipe nga Filadelfia, si dhe nga Florida, si dhe presim një ngritje kualitative të përforcimit të nxënësve, bazuar në moshën e tyre në këtë ngjarje kulturore me vlerë të veçantë për nxënësit, prindërit si dhe kulturën tonë shqiptare në përgjithësi”, tha ai.

Në anën tjetër, duke folur për rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe, ambasadorja Teuta Sahatqija, shefe e Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës, në New York, i përgëzoi drejtorin, mësuesit e kësaj shkolle për përkushtimin e tyre më fëmijë, por edhe vetë prindërit e fëmijëve, të cilët, siç tha ajo, “e dinë më së miri se çka nënkupton të ruash gjuhën, kulturën dhe historinë”.

Ambasadorja Sahatqija i përgëzoi përfaqësuesit e shkollës për vullnetin e tyre që fëmijëve të kësaj shkolle t’ua mësojnë gjuhën shqipe, me qëllim që ata të mos harrojnë se janë shqiptarë, dhe se, në fund, përmes mësimit të gjuhës ruajnë edhe identitetin shqiptar.

“Kjo vizitë është e një rëndësie të veçantë, është nder për mua që jam në mesin tuaj, në mesin e këtyre fatosave, që janë e ardhja e kombit”, tha ajo, duke shtuar se fëmijët duhet të dinë dhe të mësojnë se si duhet t’i forcojnë lidhjet me Kosovën, dhe mbarë kombin shqiptarë, me identitetin, kulturën dhe gjuhën shqiptare.

Ajo shprehu gatishmërinë e saj, që ta ndihmojë shkollën shqipe, sa ka mundësi, sidomos në organizimin e aktiviteteve të ndryshme, në fushata të ndryshme në vetëdijesimin e komunitetit, që fëmijët të jenë pjesë e domosdoshme e mësimit plotësues shqip.

Në prani të stafit të shkollës, ambasadorja Sahatqija, fëmijëve të kësaj shkolle iu shpërndau Abetare fletore pune të niveleve të ndryshme, dhe lektura shkollore, me qëllim të mësimit të gjuhës shqipe.

Ndërkaq, mësueset e kësaj shkolle u shprehen të kënaqura për vizitën e stafit diplomatik të Republikës së Kosovës në New York, në ambientet e shkollës shqipe duke theksuar se “përpos mësimit të gjuhës shqipe, ne po mundohemi vazhdimisht që t’u mësojmë fëmijëve edhe njohuritë bazë mbi historinë dhe gjeografinë, dhe identitetin kombëtar”.

Kurse, fëmijët të lumtur me vizitën e ambasadores Sahatqija dhe stafit të saj diplomatik, në shenjë respekti, recituan vjershën e Flamurit, dhe kënduan këngë kushtuar shtetit të Kosovës.

Sa i përket kërkesës për ndihmë në organizimin e Festivalit të fëmijëve, ambasadorja Sahatqija, konfirmoj mbështetjen e institucionit që ajo drejton, lidhur me organizimin e këtij festivali i cili, sipas saj, është shumë i rëndësishëm për fëmijët e komunitetit.

Por, si zakonisht komuniteti shqiptar, edhe përkundër neglizhencës për të ndihmuar, ata kësaj herë shprehën gatishmërinë për të ndihmuar organizatorët e Festivalit të Fëmijëve, duke ndihmuar me mjete financiare.

Kështu, me nga 1.000 dollarë, kontribuuan, anëtari I bordit të shkollës dhe avokati I njohur Sabri Sam Gjoni, biznesmeni Zef Balaj, dhe dr. Hasan Ademaj , kurse me 500 dollarë ka kontribuuar Lulash Gjuraj, dhe me 300 dollarë, Lekë Përlleshi, e po ashtu edhe anëtarët tjerë të bordit të shkollës.

Megjithatë, nuk duhet harruar, se duke i konsideruar si pjesë e rëndësishme e kombit, shtyllë mbështetëse për zhvillimin ekonomik për një kohë të gjatë pas viteve më të vështira të vendit, të atyre të 90-ta, ruajtja dhe forcimi i lidhjeve mes diasporës dhe gjeneratave të reja ka shumë rëndësi.

Për këtë, duhet përmendur se nga largësia e 20 viteve emigracion, kuptohet se këto lidhje tentojnë të dobësohen. Por, janë të shumtë fëmijët shqiptarë që kanë shkuar në moshë fare të vogël në vende të ndryshme të Evropës dhe në Amerikë, apo që kanë lindur në këto vende.

Për këtë arsye, mësimi i gjuhës shqipe, i historisë dhe gjeografisë së Kosovës, Shqipërisë dhe të gjitha trojeve shqiptare, si dhe trashëgimisë kulturore, konsiderohen si bazë e forcimit të identitetit kombëtar shqiptar tek gjeneratat e reja.

Përndryshe, thënë kështu, shkollat shqipe të mësimit plotësues në diasporë kanë një vend kryesor në realizimin e këtij qëllimi të rëndësishëm kombëtar. Kanë qenë përpjekjet e vetë emigrantëve shqiptarë, të cilët të organizuar në shoqata, kanë mundësuar hapjen e këtyre

shkollave dhe shembujt e mirë në këtë drejtim nuk mungojnë./Telegrafi/Lumturije BEKAJ/

Exit mobile version