Site icon Telegrafi

Frashër Krasniqi: Nuk jam krenar për veprimin ndaj Milaim Zekës (Video)

Frashër Krasniqi, deputet i Partisë Socialdemokrate ka rrëfyer momentet kur është arrestuar si i dyshuar për veprime terroriste. Ai ka folur edhe për incidentin fizik me deputetin e Nismës Socialdemokrate, Milaim Zekën, në një studio televizive.

“Në ora 5 të mëngjesit, policia speciale kanë hyrë në mënyrë shumë të dhunshme dhe më kanë arrestuar”, ka thënë Krasniqi në emisionin “Personale” në RTV Dukagjini.

“Atje për herë të parë më kanë thënë se ti je i akuzuar për terrorizëm. Njësitet hetues më kanë thënë se ka më të shkue jeta në burg, më mirë pranoje e ne mund të ndihmojmë diçka”, shprehet ai për ato momente të vështira.

Ish-aktivisti i Vetëvendosjes shprehet i habitur pse Albin Kurti nuk e kishte vizituar për tre muaj, derisa ishte në paraburgim.

“Në arrest shtëpiak, në tre muajt e parë Albin Kurti nuk ka ardhur për vizitë. Për mua ka qenë e çuditshme pse ai nuk ka qenë përderisa të gjitha figurat tjera kanë qenë”.

Ai tregon se ndër momentet më të vështira në jetë ishte largimi nga strukturat e Vetëvendosjes.

“Deri në momentin e dorëheqjes kisha shpresë se Vetëvendosje do t’a zgjidhë problemin e brendshëm. Kur unë kam vlerësuar se nuk ka vullnet për zgjidhjen e problemit, vendosa me dhënë dorëheqje nga pozitat brenda organizatës”.

“Shpresoja se letra ime sadopak do të ketë një reflektim në Vetëvendosje, por normalisht që letra ime nuk kishte kurrfarë peshe për disa në Vetëvendosje”, tha deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi.

Ish-aktivisti i VV-së rrëfen momentin se si kishin bërë ujdi me aktivistët tjerë që ishin në burg, kur letra e tij po dilte në publik.

“Letra ishte personale, Egzoni dhe Atdheu nuk e dinin. Pasi e dërgova letrën iu tregova Atdheut dhe Egzonit, dhe se kam dëshirë mos me i prishë raportet, së paku sa jemi në burg. Ata e kanë pranuar këtë kërkesë timen, edhe pse nuk kanë qenë dakord, por ishin korrekt deri ne fund me mua dhe i ruajtëm raportet”, shprehet më tej Frashër Krasniqi.

Deputeti Krasniqi ka folur edhe për rrahjen që ai bëri në një studio televizive, me deputetin Milaim Zeka.

“Nuk jam krenar për veprimin ndaj Milaim Zekës. Ndjej keqardhje ndaj qytetarëve të Kosovës, pasi politika duhet të zhvillohet përmes debateve, e jo përmes dhunës, sidomos asaj siç ka ndodhë”, shprehet ai.

Sipas deputetit të PSD-së, ky ishte veprimi i parë i tij i dhunshëm në jetë, që nga periudha e fëmijërisë.

“Rrahjen e kam bërë për herë të parë në jetë. Prej vegjëlisë deri tash asnjëherë më parë nuk i kam mëshuar dikujt me boks”, shprehet Krasniqi, i cili sqaron se e gjitha ka ndodhur në momente të vështira dhe se ishte i provokuar, duke shtuar se as kjo nuk e arsyeton veprimin e tij./Telegrafi/

https://youtu.be/ifVzyA1KKBE?t=2111

Exit mobile version