Site icon Telegrafi

Frashër Krasniqi: Kuvendi tash e ka të drejtën ekskluzive për të vendosur për dialogun

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi ka thënë se kthimi i dialogut në Kuvend ia merr atë nga duart presidentit Hashim Thaçi, ku sipas tij, nga një situatë ku Kuvendi nuk kishte asnjë edhe një mundësi të vetme vendimmarrëse tash e ka të drejtën ekskluzive për të vendosur.

Pas deklaratës së Liburn Aliu se rezoluta e votuar sjell lehtësira për kompromiset ndaj Serbisë dhe atyre që janë të gatshëm t’i bëjnë ato, ua asfalton rrugën para, Krasniqi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Liburn Aliu nga VV-ja po e shpërfaq më së miri frikën e VV-së.

Lexoni të plotë postimin e Krasniqit:

“Liburn Aliu po e shpërfaq më së miri frikën e VV-së. Pra, asnjë siguresë nuk vlen sepse asnjëra nuk garanton marrëveshje të dobishme për Kosovën. Dakord!

Por ta shohim nga vjen kjo frikë.

Kthimi i dialogut në Kuvend ia merr atë nga duart Thaçit. Pra nga një situatë ku Kuvendi nuk kishte asnjë edhe një mundësi të vetme vendimmarrëse tash e ka të drejtën ekskluzive për të vendosur.

Dhe në fund, po, e ratifikon marrëveshjen. Me 2/3. Në konstelacionin aktual 2/3 nuk arrihen dot pa LDK dhe LVV. Pra nga kush frikësohet Liburni? Kujt nuk i beson se do të mbajë qëndrim parimor dhe në të mirë të Kosovës? LVV-së? Mos ka frikë që LVV (lexo Albini) mund të ndërrojë mendje dhe ta pranojë marrëveshjen për interesa pushteti? Apo nga LDK? Sigurisht kushdo që e lexon këtë e shohin këtë të dytën si më reale. Pra që LDK në fund ndërron mendje dhe voton.

Po a nuk janë në aleancë LDK me LVV? Si qenkan futur në këtë aleancë me kaq mosbesim mes vete. A nuk e kanë diskutuar këtë gjë Albini me Isën? A nuk beson Albini që Isa e mbanë fjalën?

Në deklarimet e mëhershme Glauku pati deklaruar se LDK dhe LVV do ta bëjnë qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës. Nëse kështu, atëherë besoj që janë dakorduar edhe për qasjen ndaj dialogut. Atëherë pse kjo frikë e Liburnit? Sepse e di që nuk janë marrë vesh? Prandaj ky mosbesim ndaj LDK-së. Po atëherë si do ta bëjnë qeverinë. Apo në atë situatë nuk ka rëndësi sepse Albini është në pushtet. Dhe për besnikët e tij ku bënë pjesë edhe Liburni, kjo është siguresë e mjaftueshme, e vetmja në fakt, që u jep atyre rehati. Jo Kosovës. Rehati besnikësh. Pushtet. Kaq.

Sa për referendum, edhe ai për BREXIT nuk ka qenë fjala përfundimtare. Edhe në Britani do të vendosin deputetët në fund. Por ja që deputetët atje nuk votojnë kundër vullnetit popullor të shprehur në referendum. Kështu do të duhej edhe deputetët tanë. Sa për PSD këtë ua garantojë. Për të tjerët nuk mund të garantoj. As për PDK, as për LDK, as për të tjerët.

Nuk do të kishte qenë keq që Liburni t’ia thotë Albinit që ta pyes mikun e tij Isa Mustafën për këtë gjë”.  /Telegrafi/

Exit mobile version