Site icon Telegrafi

Franca do të furnizojë Kievin me sisteme të mbrojtjes ajrore dhe do të trajnojë rreth 2.000 ushtarë ukrainas

Franca ka njoftuar se do të furnizojë Ukrainën me sisteme të mbrojtjes ajrore dhe do të zgjerojë një program trajnimi për ushtarët ukrainas.

Deri në 2.000 ushtarë ukrainas do të përfshihen në njësitë ushtarake në Francë për disa javë trajnime luftarake, trajnime më të specializuara në logjistikë dhe nevoja të tjera, dhe trajnime mbi pajisjet që Franca do t’ia jap Ukrainës, tha ministri i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu, në një intervistë për Le Parisien.

“Ne po vërejmë faktin se lufta, mjerisht, do të zgjasë”, citon gazeta të ketë thënë ministri francez.

“Një brez i ri ushtarësh duhet gjithashtu të stërvitet”.

Franca kishte trajnuar edhe më parë trupat e artilerisë ukrainase për të përdorur obusët vetëlëvizës të Cezarit, që ajo ia kishte dhënë Ukrainës.

Ministri tha se bateritë e sistemeve të mbrojtjes ajrore, Crotale, që Franca po përgatit t’i dërgojë në Ukrainë “do të jenë veçanërisht të dobishme në luftën kundër dronëve dhe bombardimeve ajrore”.

Ai nuk specifikoi se sa prej tyre do të shkojnë në Ukrainë, por tha se “do të jetë e rëndësishme t’u mundësohet atyre të mbrojnë qiellin e tyre”.

Në gusht ushtria britanike njoftoi për 120 ditë do të trajnojë 10.000 rekrutë ukrainas në gjuajtje, dhënien e ndihmës së parë luftarake dhe për beteja në qytete. /rel/

Exit mobile version