Ministri francez i Mbrojtjes ka deklaruar në Paris se do të dërgojnë “qindra” autoblinda dhe raketa të mbrojtjes kundërajrore, si pjesë e pakos së re të ndihmës ushtarake për Ukrainën në luftën kundër pushtuesve rusë.
“Për të ruajtur pozicionet në front, ushtria ukrainase ka nevojë për mjetet tona VAB. Janë shumë të nevojshme për trupat në terren”, tha Sebastien Lecornu për të përditshmen La Tribune, transmeotn Telegrafi.
Franca aktualisht është duke rinovuar flotën e autoblindave VAB – disa prej tyre janë mbi 40-vjeçare – duke i zëvendësuar me autoblindat e reja Griffon, por Lecornu theksoi se modelet e vjetra janë “akoma operacionale”.
“Po flasim për qindra për 2024 dhe në fillim të 2025”, shtoi ministri francez i Mbrojtjes.
Në anën tjetër Parisi njoftoi gjithashtu se do të furnizojnë Ukrainën me raketat Aster 30 për sistemet raketore SAMP/T, të ngjashme me sistemet raketore amerikane Patriot. /Telegrafi/