Trofeu i Kupës së Botës që Lionel Messi mbajti në postimin e tij ikonik në Instagram, ishte në fakt një kopje e bërë nga tifozët e Argjentinës që përfundoi në fushë.
Një raport nga Clarin thotë se superylli i futbollit e mbajti një imitim të trofeut për disa minuta pa e kuptuar se nuk ishte trofeu i dorëzuar nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
Heroi i Argjentinës theu rekordin për postimin më të pëlqyer në Instagram nga një sportist, duke grumbulluar pothuajse 75 milionë pëlqime për fotografinë në të cilën mbante trofeun fals.
Imitimi që mbante Messi u krijua nga tifozja e Argjentinës Paula Zuzulich, e cila shpjegoi për Clarin: “Para Kupës së Botës ne ramë në kontakt me njerëz që bëjnë trofe dhe u deshën gjashtë muaj për ta bërë atë”.
“Ideja ishte që t’i bënim lojtarët ta nënshkruanin, por në fund u hodh në fushë tri herë. Së pari një anëtar i familjes së (Leandro) Paredesit e detyroi atë ta nënshkruante”.
“Herën e dytë që na kërkuan, ishte aty poshtë për 45 minuta, duke u kaluar nga njëri lojtar te tjetri, nga njëri i afërm te tjetri, ndërsa fotografoheshin”.
“Tifozët tjerë në tribunë na thanë: ‘E humbët kupën’. Ne po argëtoheshim, por donim ta kthenim. Pikërisht atëherë u bërtita disa lojtarëve: ‘Ajo kupë që ka Paredes, është e jona’. Në fund, Lautaro Martinez e nënshkroi dhe e solli prapë. Më pas mbërriti sigurimi i FIFA-s dhe na kërkoi ta dorëzonim për t’u siguruar se nuk ishte origjinali”, ka treguar ajo.
Messi parakaloi me trofe të rremë nëpër fushë duke menduar se ishte i vërteti, derisa bashkëlojtari Angel Di Maria vuri në dukje gabimin.
“Njerëzit e sigurimit më thanë: ‘Të lutem, mos ia jep kupën askujt’. Unë u thash atyre: ‘Por, ka një tjetër kupë atje’, ndërsa ata ma kthyen: ‘Jo, jo, atë që e ke ti është e vërteta, prandaj jemi me ty’. Këtë po ia thosha Messit”, ka shpjeguar Di Maria. /Telegrafi/