Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq është parë teksa ka pirë kafe me liderin e grupit terrorist të “Banjskës”, Milan Radoiçiq.
Fotografia është shpërndarë në rrjete sociale dhe media më 09.03.2024 duke ngjallur reagime në opinionin publik.
Pas kryetares së Lëvizjes Evropiane të Serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka reaguar edhe politikani serb Nikola Sanduloviq.
Në një shkrim në rrjetin social “X” (ish-Twittwer), ai ka pyetur zyrtarët evropianë dhe po ashtu ambasadorin e SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, se a është Gjuriq ende ambasadori më i mirë i Serbisë, ndonjëherë.
“A mundeni ju, Miroslav Lajçak, Josep Borrell, Richard Grenell e Gabriel Escobar të përshkruani këtë foto? A keni thënë ju ambasador Hill se Serbia kurrë nuk ka pasur ambasador më të mirë në SHBA sesa Marko Gjuriqin. Ambasadori serb në SHBA, Gjuriq, që pritet të bëhet kryeministër i ardhshëm i Serbisë, është parë duke darkuar me të kërkuarin nga Interpoli dhe ta sanksionuarin nga SHBA-ja, Milan Radojiçiq, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ishte prapa sulmit në Banjskë ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës”, u shpreh Sanduloviq.
Tutje tha se pret të shohë se cili do të jetë reagimi i SHBA-së dhe BE-së ndaj kësaj dëshmie të qartë të lidhjes mes një krimineli të kërkuar nga Interpoli e një terroristi si Radojiçiq, me elitën e qeverisë serbe.
Ndërkaq Gjuriq, përmes një reagimi në rrjetin social “X”, tha se do të ishte i zhgënjyer nëse nuk do të “niste një fushatë negative me rastin e kthimit të tij në Serbi”.
Madje ai nuk tentoi të mohojë takimin, duke thënë se “nuk e ka ndërmend t’i kërkojë falje Kurtit dhe Sveçlës apo dhe njerëzve tjerë keqdashës për asgjë”.
Pasi Gjuriq hodhi akuza ndaj autoriteteve të Kosovës, ka reaguar edhe Rada Trajkoviq, duke thënë se kjo fotografi mund të jetë publikuar nga rrethi i tij i ngushtë.
“Marko, pa qëllim të keq dhe diskutim se kush është në këtë fotografi, por atë ka mundur ta shkrepë dikush nga rrethi i juaj dhe ta publikoj. Është e qartë se ju po shqetësoni dikë dhe se ai po përpiqet t’ju diskreditojë”, ka shkruar Trajkoviq në “X”.
Avni Zogiani i Vetëvendosjes, ka thënë se “Gjuriq – ambasadori i preferuar i disa diplomatëve perëndimor në një takim konsultues me kryeterroristin serb, Milan Radojçiq”.
Ndryshe, ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq kishtemarrë përgjegjësinë për ngjarjet e 24.09.2023 në Banjskë të Zveçanit, ku grupi i tij i armatosur kishte vrarë Afrim Bunjakun, oficerin e Policisë së Kosovës.
Në kundërpërgjigjen e Policisë ishin vrarë edhe tre anëtarë të grupit të Radoiçiqit.
Kosova ka lëshuar fletarrestim ndaj tij por Radoiçiq shëtit i lirë nëpër Serbi.
Lidhur me rastin, ditë më parë Policia e Kosovës, e ka gjetur një sasi të armatimit afër Manastirit të Banjskës, në Zveçan.
Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë në veri ka deklaruar se bëhet fjalë për pesë “zolla”./Telegrafi/
Can you @MiroslavLajcak, @JosepBorrellF @RichardGrenell and #gabrieleskobar explain this photo? Did @usambserbia hill sayd that Serbia has never had a better ambassador to the @USA than Marko Djuric?
Serbian ambassador to the U.S. Marko Djurić, who’s also expected to become… pic.twitter.com/ZO0yP4jBaf— Nikola Sandulovic (@Sandulovic_N) March 9, 2024