Telegrafi

Foto nga bastisja në Ministrinë e Mjedisit gjatë operacionit “Brezovica”

Në mesin e dhjetë lokacioneve që po bastisen nga Policia e Kosovës në vazhdim të operacionit “Brezovica”, është edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në fotografitë e realizuara nga fotoreporteri Ridvan Slivova para kësaj ministrie, shihen veturat e pjesëtarët e policisë.

Ndryshe, sot është duke vazhduar operacioni “Brezovica”, i cili lidhet me ndërtimet në Brezovicë, operacion ky që kishte nisur më 21 dhjetor.

Në kuadër të këtij aksioni, po bastiset edhe Ministria e Mjedisit.

Lajmin për Telegrafin e konfirmoi kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari.

“Po është duke vazhduar aksioni, bastisje ka në 10 lokacione gjithsej. Bastisjet po bëhen në Ferizaj, Prishtinë e Shtërpcë”, tha Jashari për Telegrafin.

Ndryshe, më 21 dhjetor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Shtërpcë lidhur me ndërtimet.

Më pas, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për dhjetë personat e arrestuar më 21 dhjetor në rastin ‘Brezovica’.

Në mesin e tyre është edhe Bratisllav Nikolliq, ish – kryetar i Komunës së Shtërpcës dhe zyrtar i Listës Serbe.

Arrestimi i tyre është bërë nën dyshimin për vepra penale si keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit, gjegjësisht për dhënien e leje për ndërtimet në Brezovicë. /Telegrafi/