Qeveria e Kosovës ka miratuar sot kërkesën për themelimin e Këshillit organizativ për shënimin e 12 qershorit, Ditës së Çlirimit dhe shënimin e 10 qershorit, saktësisht 145-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.
Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur në mbledhjen e Qeverisë se kryesues i Këshillit organizativ është ministri i Kulturës, ndërsa anëtarë janë përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Jashtme, nga Ministria e Drejtësisë, nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga Zyra e Kryeministrit, raporton Telegrafi.
Po ashtu kanë ftuar edhe anëtarë nga Presidenca, Kuvendi, Komuna e Prishtinës, komandanti i FSK-së, nga organizatat e dala nga lufta, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, përfaqësues i familjes Jashari dhe nga organizatat joqeveritare.
Kurti bëri të ditur se me kërkesë të kryesuesit të Këshillit organizativ mund të themelohen deri në 9 grupe për organizimin dhe shënimin e aktivisteve me rastin e Ditës së Çlirimit dhe përvjetorit të 145-të të Lidhjes së Prizrenit. /Telegrafi/