Maurizio Sarri do të ketë shumë opsione te Juventusi për ta zhvilluar lojën e tij tashmë të njohur ‘Sarri Ball’.
Ish-trajneri i Chelseat tashmë ka kompletuar transferimin e Adrien Rabiotit, Aaron Ramseyt dhe Gianluigi Buffonit, mirëpo në ditët në vazhdim atyre mund t’u bashkohen edhe Matthijas de Ligt e Mauro Icardi.
Para se ta kompletonte kalimin nga skuadra londineze te Zonja e Vjetër, strategu italian është takuar me Cristiano Ronaldon në Greqi, për ta diskutuar pozicionin e tij.
Sipas Mediave në Itali, pesë herë fituesi i Topit të Artë pritet të luajë si sulmues qendror, në formacionin 4-3-1-2.
Thuhet se ‘nofka’ e portugezit nuk do të jetë më CR7 por CR9, e që në sulm do të jetë me Gonzalo Higuainin, mirëpo në vend të këtij të fundit mund të hyjë Icardi.
Paulo Dybala do të përkujdeset që t’i furnizojë me topa të dy sulmuesit, ndërsa Ramsey, Rabiot dhe Miralem Pjanic do të jenë treshja kryesore e mesfushës.
Në mbrojtje pritet të jenë Joao Cancelo, Leonardo Bonucci, Matthijs de Ligt dhe Alex Sandro. Ky formacion mund t’i sigurojë skuadrës nga qyteti i Torinos triumfin në Ligën e Kampionëve, trofe ky që po kërkohet me ngulm në vitet e fundit nga ta. /Telegrafi/