Milani do të përballet nesër (10 gusht) me Feronikelin në kuadër të miqësoreve që zhvillohen para se të fillojnë takimet nëpër kampionate.
Kampioni i Kosovës do të ketë një rast të veçantë që t’i shikojë përgatitjet e lojtarëve të tyre për sezonin 2019/20, sidomos ndaj një kundërshtari që është shtatë herë kampion i Evropës.
Rast i veçantë do të jetë edhe për tifozë shqiptarë që përkrahin Rossonerët, pasi do t’i shohin live 24 lojtarë që janë ftuar për këtë përballje nga klubi italian.
Në përballjen e gjigantit italian ndaj Niklit pritet të debutojë edhe transferimi i tyre më i ri, Rafael Leao, që pak ditë më parë e kompletoi kalimin nga Lille.
Formacioni i mundshëm i Milanit (4-3-1-2): Donnarumma; Calabria, Musacchio, Romagnoli, Rodriguez; Calhanoglu, Biglia, Paquetà; Suso, Piatek, Leao.
Ndeshja Feronikeli – AC Milan do të transmetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në RTV Dukagjini të shtunën nga ora 20:45, por edhe Telegrafi do të ketë mbulim special rreth këtij takimi. /Telegrafi/