Site icon Telegrafi

Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Zvicrës – Gliha me shumë ndryshime të detyrueshme

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Primoz Gliha ka ndarë mendjen për formacionin “anti-Zvicër” në ndeshjen e sotme (e shtunë) mbrëma.

Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë sot (e shtunë) në udhëtim ndaj Zvicrës në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Grupit I për Euro 2024, e cila pritet të zhvillohet në stadiumin “St. Jakob-Park” të Baselit me fillim nga ora 20:45.

Ekipi i përzgjedhësit Primoz Gliha vjen në këtë ndeshje pas fitores ndaj Izraelit dhe synon rezultat pozitiv edhe nga ky udhëtim i vështirë.

Megjithatë, Dardanët do ta kenë shumë të vështirë shkaku i mungesave të shumta, të cilave edhe sot iu kanë shtuar tre sosh, ndër ta Arijanet Muric, Milot Rashica dhe Ermal Krasniqi.

Lexo po ashtu Konfirmohen tri mungesa të rëndësishme të Kosovës kundër Zvicrës

Telegrafi mëson se përzgjedhësi slloven kishte vendosur t’i bënte dy ndryshime nga ndeshja ndaj Izraelit, por tani është i detyruar t’i bëjë së paku pesë të tilla.

Megjithatë, Gliha pritet t’i mbetet besnik rreshtimit të tij 3-5-1-1.

Në portë, Visar Bekaj pritet më në fund të marrë një fanellë të titullarit duke zëvendësuar Muricin, i cili ka një gjendje gripale.

Në mbrojtja ndryshimi i vetëm pritet të jetë Mërgim Vojvoda që do ta marrë vendin e Ilir Krasniqit, ndërsa Fidan Aliti dhe Lumbardh Dellova do t’i mbajnë pozitat e tyre.

Treshja e mesfushës do të mbetet e pandryshuar me Qëndrim Zybën, Florian Loshaj dhe Florent Musliun, ndërsa nga krahët Bernard Berisha do ta ruajë pozitën e anës së majtë, ndërsa Florent Hadergjonaj do ta zëvendësoj Lirim Kastratin.

Në sulm, gjasat më të mëdha i kanë dyshja Zymer Bytyqi dhe Elbasan Rashani, që pritet t’i zëvendësojnë Vedat Muriqin dhe Milot Rashicën e dëmtuar.

Muhamet Hyseni është në balotazh dhe shumë lehtë mund ta marrë një fanellë titullari.

Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Zvicrës

/Telegrafi/

Exit mobile version