Përzgjedhësi Primoz Gliha ka ndarë tashmë mendjen për ekipin e Përfaqësueses së Kosovës në përballjen e sotme (e shtunë) ndaj Zvicrës në Prishtinë.
Kosova është nikoqire e Zvicrës në takimin e vlefshëm kualifikues për “Euro 2024”, në kuadër të Grupit I.
Kjo ndeshje pritet të zhvillohet me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet dhe tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet.
Ndeshja ndaj Zvicrës do të jetë e para për përzgjedhësin e përkohshëm, sllovenin Primoz Gliha, i cili erdhi si pasues i Alain Giresse të shkarkuar.
Gliha ka pasur kohë të mjaftueshme për të punuar me lojtarët e ftuar dhe ka pasur të gjithë në dispozicion për t’i shikuar nga afër rreth formës së tyre.
Telegrafi mëson se përzgjedhësi slloven do të ndryshoj rreshtimin e preferuar të Giresse dhe do të luajë me formacionin e tij të preferuar 3-5-2, i cili në raste mund të transformohet në një 3-4-3.
Në portë do të jetë i përhershmi Arijanet Muric, ndërsa treshja pritet të formohet nga kapiteni Amir Rrahmani në qendër, Betim Fazliji nga e djathta e tij dhe Fidan Aliti nga e majta.
Në mesfushë do të jenë Florian Loshaj, Valon Berisha dhe Florent Muslija, i cili shihet i favorizuar para Bernard Berishës, ndërsa nga krahët do të luajnë Mërgim Vojvoda dhe Leart Paqarata.
Në sulm, Milot Rashica do të jetë si sulmuesi i dytë dhe ndihmues i Vedat Muriqit, i cili do të jetë plotësisht i deklaruar në vijën e parë.
Formacioni i mundshëm i Kosovës
/Telegrafi/