Është mbyllur xhiroja e 19-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll, xhiro që ishte e para për edicionin pranveror.
Ka qenë një javë shumë e pasur sa i përket golave të shënuar, pasi janë realizuar 21 gola në pesë takimet e zhvilluara.
Ishte një xhiro që ju shkoi përshtat skuadrave vendase, pasi katër prej tyre morën maksimumin e pikëve, derisa vetëm një takim përfundoi pa fitues.
Drita mori fitoren më të thellë duke mposhtur 7-0 Feronikelin, derisa Ballkani u tregua i pamëshirshëm ndaj Dukagjinit duke triumfuar 4-1.
Malisheva shkaktoi befasi pasi e mposhti Prishtinën 2-1, ndërsa fitore para adhuruesve të vet mori edhe Llapi 2-0 ndaj Ulpianës.
Takimi i vetëm që përfundoi pa fitues ishte ai mes Drenicës dhe Gjilanit 1-1.
Telegrafi si gjithmonë ka zgjedhur 11-shen më të mirë të javës, ku këtë xhiro shkojmë me formacionin 4-3-3, derisa trajneri i javës është Arsim Thaçi.
Portieri:
Marijan Coric ishte vendimtar në fitoren e Llapit falë pritjeve fantastike që bëri në ndeshjen ndaj Ulpianës. Kroati arriti t’i ndalë tri raste fantastike të mysafirëve duke mbajtur portën e pa prekur.
Mbrojtja:
Bujar Idrizi po vazhdon shkëlqimin në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe ishte në nivel të detyrës edhe në takimin ndaj Ulpianës. Qendra e mbrojtjes shkon për dy futbollistë me shumë përvojë.
Rustem Hoxha është lider i Ballkanit në repartin defensivë, teksa ai tregoi formë të lartë edhe në përballje me Dukagjinin e Klinës, ku suharekasit triumfuan me rezultat 4-1. Fidan Gërbeshi rikthehet në Superligë pas gjashtë muajve në Ligën e Parë dhe ka treguar se është në top formë.
Qendërmbrojtësi veteran bëri një ndeshje të jashtëzakonshme ndaj Prishtinës duke fituar thuajse gjitha duelet dhe ishte i pakalueshëm në mbrojtje në fitoren që Malisheva e mori 2-1 ndaj kampionit në fuqi.
Edhe krahu i majtë i mbrojtjes vije nga Malisheva, pasi Gentrit Dumani ishte fantastik. Mbrojtësi i majtë tregoi formë të lartë kundër ish-skuadrës pasi shkëlqeu si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.
Mesfusha:
Hamdi Namani është një mesfushor mjaftë i mirë, por në duelin ndaj Feronikelit e bëri sulmuesin për Dritën. Mesfushori llapjan shënoi tre gola duke qenë më i miri në fushë.
Ndeshje të madhe ka zhvilluar edhe Arbios Thaçi i Drenicës në duel me Gjilanin. Numri gjashtë i kuqezinjve dominoi në mesfushë duke shkatërruar aksionet e mysafirëve dhe duke ndërtuar disa aksione të ekipit të tij.
Mërgim Pefqeli zë vend në formacion, falë një ndeshje të madhe që zhvilloi kundër ish-skuadrës së tij Prishtinës. Mesfushori prishtinas ishte i kudondodhur në fushë, teksa edhe shënoi golin e parë për Malishevën.
Sulmi:
Meriton Korenica ka qenë lojtari vendimtar i Ballkanit në fitoren 4-1 ndaj Dukagjinit të Klinës. Rahovecasi ishte në top formë të shtunën, duke shënuar golin e parë dhe duke asistuar në të dytin. Korenica ishte i pandalshëm nga mbrojtja klinase duke rrezikuar edhe në disa raste të tjera bashkëqytetarin e tij Kenan Haxhihamza.
U fut në fushë nga banka rezervë, por Shend Kelmendi ndryshoi tërësisht fytyrën e Gjilanit ndaj Drenicës. Sulmuesi prishtinas ngjalli lojën e kuqebardhëve dhe arriti të shënoj golin e barazimit duke shpëtuar ekipin e tij nga humbja në Skenderaj.
Përkundër se luajtën ndaj një Feronikeli me lojtar të rinj në fushë, Arbnor Muja bëri një ndeshje të madhe. Sulmuesi anësor i Dritës realizoi një gol fantastik, teksa kontribuoi edhe me dy asistime në fitoren e thellë të Dritës.
Trajneri i javës:
Arsim Thaçi merr epitetin e trajnerit të javës së 19-të në BKT Superligë. Thaçi kishte përgatitur perfekt ekipin e tij për ta ndalur Prishtinën dhe arritën ta bënin një gjë të tillë, pasi Malisheva triumfoi me rezultat 2-1. Përpos futbollistëve që u angazhuan në fushë, meritë të madhe për këto tri pikë ka edhe trajneri Arsim Thaçi.
Malisheva luajti një ndeshje agresive që në fund doli të jetë e suksesshme për një nismë të mbarë në pranverë. /Telegrafi/