Ka përfunduar edhe një javë e suksesshme e futbollistëve shqiptarë nëpër botë.
Këtë javë shkëlqimin më të madh e kishte sulmuesi i talentuar, Albian Ajeti i cili shënoi dy gola dhe i siguroi një fitore të madhe skuadrës së tij St Gallen.
Dy gola i shënoi në Zvicër edhe Jahmir Hyka në fitoren 3-0 të Luzernit ndaj Vaduzit.
Ndërkohë paraqitje të mirë kishte edhe kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani me ekipin italian Pisa, transmeton Telegrafi.
Më poshtë keni formacionin më të mirë të futbollistëve shqiptarë nëpër botë. /Telegrafi/
Samir Ujkani – Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës ka qenë vendimtar në barazimin e Pisas në udhëtim tek Pro Vercelli. Numri një i Pisas ka bërë disa pritje duke i siguruar një pikë me vlera ekipit të tij.
Shkodran Mustafi – I pa kalueshëm në mbrojtje, por këtë javë ka bërë mirë edhe përpara duke dhënë një asistim për Alexis Sanchez. Kampioni i botës kishte paraqitje fantastike ndaj West Hamit ku Arsenali shënoi fitore të thellë 1-5.
Alban Pnishi – Qendërmbrojtësi i Kosovës ka pasur një paraqitje tejet të mirë për Grasshopperin ndaj Laussanës ku skuadra nga Zurichu triumfoi me rezultat 1-2. Paraqitja e Pnishit u vlerësua lartë në mediat zvicerane.
Amir Rrahmani – Prishtinasi ishte lider në mbrojtjen e Lokomotivës së Zagrebit që shënoi një fitore të lartë 4-1 në udhëtim tek Cibalias. Forma e 22-vjeçarit është në rritje dhe nga stinori i ri pritet të kthehet në Dinamon e Zagrebit pas huazimit të suksesshëm.
Elseid Hysaj – Ishte i lënduar por u fut në ndeshje ndaj Interit dhe shkëlqeu për 61 minuta sa qëndroi në fushë duke u zëvendësuar pas disa shtrëngimeve në bark. Gjithsesi Hysaj mbetet njëri nga mbrojtësit e djathtë më të vlerësuar në Serie A dhe jo vetëm.
Granit Xhaka – Dalëngadalë po e blindon pozitën e tij të titullarit në Arsenal. Graniti kishte një paraqitje të mirë ndaj West Hamit dhe mori një notë të kënaqshme 7.3.
Valon Berisha – Nuk ishte në formën e tij më të mirë në fillim të stinorit në Austri por tani kanë ndryshuar gjërat. Berisha është bërë lojtari kryesor i Red Bull Salzburgut, ku këtë javë shënoi një gol të bukur në fitoren 4-1 ndaj Altachit.
Jahmir Hyka – I ka dhuruar një fitore mbresëlënëse Luzernit të tij me dy gola fenomenal 3-0 ndaj Vaduzit. Reprezentuesi shqiptar e ka kthyer formën e tij të fillimit të stinorit, duke udhëhequr Luzernit drejt pozitës së tretë në elitën e futbollit zviceran.
Milot Rashica – Kishte rënie të formës por ngadalë po e kthen atë. Rashica e riktheu te fitorja Vittesen pas katër ndeshjeve pa pikë të plota ku mposhtën Zwollen 3-1. Vushtrriasi asistoi tek goli i dytë dhe ishte futbollisti më i fauluar në ndeshje.
Endri Çekiçi – Lokomotiva e Zagrebit ishte në një formë tejet të dobët, mirëpo këtë javë shënuan fitore 4-1 ndaj Cibalias falë shkëlqimit të Endri Çekiçit. Shqiptari shënoi golin e parë në ndeshje ndërsa fitoi edhe një penallti duke u shpallur lojtari më i mirë në fushë.
Albian Ajeti – Është pritur gjithmonë shumë nga ai dhe tani është në kulmin e karrierës. Sulmuesi i jashtëzakonshëm ka qenë vendimtar për St Gallenin në fitoren 2-1 ndaj Sionit. Edhe pse po humbitnin 0-1 pas pjesës së parë, Ajeti arriti të shënoi dy gola në pjesën e dytë për fitoren e gjashtë në këtë kampionat për ekipin e tij. Dy golat e të dielës e kanë ngritur në kuotën e pesë golave talentin kosovar i cili ka dhuruar edhe dy asistime.
Më poshtë keni edhe sondazhin ku me voten tuaj mund të zgjedhin më të mirin e javës.