Telegrafi

Ford shet aksione të biznesit në Rusi, duke iu bashkuar “eksodit” të prodhuesve të makinave nga ky vend

Prodhuesi amerikan i automjeteve Ford Motor njoftoi të mërkurën se ka finalizuar një dalje të plotë nga Rusia me shitjen e aksioneve të saj në një sipërmarrje të përbashkët me bazë në rajonin e Moskës.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Ford ishte në mesin e një numri të prodhuesve të huaj të automjeteve që pezulluan operacionet në Rusi në mars, pasi presidenti Vladimir Putin urdhëroi trupat e tij të pushtonin Ukrainën tetë muaj më parë.

Vendimi i Ford vjen pak pasi prodhuesi gjerman i makinave Mercedes-Benz njoftoi planet për të shitur asetet e tij ruse tek një investitor vendas më herët të mërkurën.

Ford tha në një deklaratë se ka arritur një marrëveshje për të shitur 49% të aksioneve të saj në sipërmarrjen e përbashkët Sollers Ford, e cila u krijua në 2011, për një “vlerë nominale”.

“Nëse situata globale ndryshon”, Ford tha se ruan opsionin për të blerë aksionet e saj brenda pesë viteve të ardhshme.

Qindra kompani perëndimore janë larguar nga Rusia që nga fillimi i agresionit më 24 shkurt, me sektorët e teknologjisë dhe prodhimit të makinave të Rusisë të goditur veçanërisht nga sanksionet perëndimore dhe ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit ndërkombëtar. /Telegrafi/