Dy persona kanë vdekur në një sulm me raketa në qytetin port ukrainas të Detit të Zi, Odesa, thanë zyrtarët lokalë, ndërsa Moska dhe Kievi shkëmbyen sulme me dronë dhe raketa.
Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se kanë rrëzuar 10 nga 14 dronët dhe një nga tre raketat që Rusia ka lëshuar.
Ndërkohë, të paktën 41 persona u plagosën kur një bombë ajrore ruse goditi një ndërtesë banimi shumëkatëshe në Kharkiv, tha kryebashkiaku Ihor Terekhov, duke shtuar se bomba e drejtuar goditi katin e 10-të të ndërtesës, me zjarrin që u përhap në katër kate.
Dymbëdhjetë ndërtesa të tjera u dëmtuan gjithashtu, tha ai.
Siç raportohet, Ukraina dhe Rusia kryejnë rregullisht sulme me dronë gjatë natës në territorin e njëri-tjetrit, shkruan AP, përcjell Telegrafi.
Sulmet e fundit vijnë pasi Ukraina bëri një thirrje të re ndaj Perëndimit për ta lejuar atë të përdorë raketat me rreze të gjatë veprimi që ata kanë ofruar për të goditur objektivat thellë brenda Rusisë.
Deri më tani, SHBA-ja e ka lejuar Kievin të përdorë armë të siguruara nga Amerika vetëm në një zonë të kufizuar brenda kufirit të Rusisë me Ukrainën.
Zyrtarët e Kievit argumentojnë se armët janë jetike për të dobësuar aftësinë e Rusisë për të goditur Ukrainën. /Telegrafi/