Presidenti i Ukrainës thotë se forcat e vendit kanë çliruar vendbanimet e vogla të Arkhanhelske dhe Myrolyubivka në rajonin Kherson në jug të Ukrainës.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Volodymyr Zelensky përmendi dy vendbanimet në fjalimin e tij të natës kur falënderoi njësitë specifike të forcave ukrainase për “mbizotërimin” në vijën e frontit.
Më herët në fjalimin e tij, Zelensky tha, pa dhënë detaje, se suksesi i forcave të Ukrainës nuk është i kufizuar në Lyman në rajonin e Donetsk.
Ai tha gjithashtu se rrëmbimi i drejtorit të përgjithshëm të centralit bërthamor të Zaporizhzhia të okupuar nga Rusia në Ukrainë ishte një akt terrori rus.
“Ky është një shembull tjetër i një akti të qartë të terrorit rus, për të cilin shteti terrorist duhet të marrë një dënim gjithnjë në rritje”, citohet të ketë thënë Zelensky.
Një patrullë ruse arrestoi Ihor Murashov të premten, sipas kompanisë shtetërore përgjegjëse për termocentralin, dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se Rusia e kishte konfirmuar një lëvizje të tillë. /Telegrafi/