Forcat speciale nga Perëndimi janë në terren në Ukrainë, sipas dokumenteve të klasifikuara të zbuluara në internet.
Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, kontigjenti më i madh është nga Britania (50), e ndjekur nga anëtarët e NATO-s si Letonia (17), Franca (15) dhe SHBA (14).
Është e paqartë se çfarë po bëjnë saktësisht forcat speciale, ku ndodhen apo nëse numri i tyre ka qenë vazhdimisht në këtë nivel.
Megjithatë, zbulimi konfirmon atë që shumë kanë spekuluar që nga fillimi i luftës në shkurt.
Ndryshe një numër dokumentesh amerikane të shënuara si “tepër sekret” janë zbuluar kohët e fundit, duke përshkruar detaje në lidhje me luftën në Ukrainë dhe aleatët e saj perëndimorë.
Sidoqoftë, ato ende nuk janë verifikuar.
Dhe të mërkurën, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se kishte “një nivel serioz pasaktësie” në pretendimin që forcat e saj speciale ishin në terren në Ukrainë.
Sipas Euronews, pretendimi për prani të personelit ushtarak perëndimor në Ukrainë ka të ngjarë të shfrytëzohet nga Kremlini, i cili ka pretenduar vazhdimisht se Rusia është nën sulmin e NATO-s. /Telegrafi/