Site icon Telegrafi

Football Leaks zbulon disa nga kontrata më interesante të lojtarëve

E përditshmja El Mundo vazhdon të publikojë informacione të reja të  Football Leaks të siguruara nga  Der Spiegel dhe që janë pjesë e hetimeve të medias evropiane.

Këtë radhë kanë dalë në dritë disa klauzola sekrete e kurioze të kontratave të futbollistëve.

Kështu, brazilianit Neymar iu premtua nga kompania Panini e koleksionit të fotove të lojtarëve pagesa e 50 mijë dollarëve për firmën e tij, që do të thotë se për çdo foto të nënshkruar, sulmuesi ka marrë 83 dollarë, apo 74 euro.

Cristiano Ronaldo ka kërkuar një kontratë konfidenciale për një periudhë 70-vjeçare, që do të thotë se gjatë kësaj periudhe nuk do të thuhet asgjë në lidhje me jetën private të futbollistit.

Football Leaks flet edhe për kontratën që Atletico Madrid nënshkroi me Manchester City në momentin e transferimit të Kun Agueros.

Klubi spanjoll përfitoi 250 mijë euro për çdo 15 gola të shënuar nga argjentinasi dhe 250 mijë euro të tjerë për çdo 25 ndeshje aktivizimi të sulmuesit. Por jo vetëm kaq, Atletico Madrid përfiton edhe 1 milionë euro për çdo titull të fituar nga Aguero me City.

Një tjetër klauzolë kurioze është ajo e kontratës së Hugo Lloris me Tottenham.

Portieri i Hotspurs përfiton 7000 funte për çdo ndeshje që është titullar, 8000 funte për çdo fitore dhe 3500 funte për çdo humbje të skuadrës londineze.

Kontrata e Thiago Silvas me Paris Saint Germain nuk ka lënë indiferent askënd.

Klubi parisien në momentin që hyri në bisedime me Milanin për qendërmbrojtësin pranoi t’u paguajë organeve fiskale italiane detyrimin prej 2.5 milionë eurosh që kishte futbollisti për të siguruar shërbimin e brazilianit.

Exit mobile version