Site icon Telegrafi

Football Leaks merr përmasa gjigante, pas Ronaldos akuzohen edhe Mourinho dhe skuadrat e mëdha të Series A

Football Leaks. Kështu quhet skandali më i fundit që ka tronditur futbollin botëror. Miliona dokumente me të dhëna të fshehta, zbulojnë anën e errët të sportit më popullor, ku të përfshirë janë emrat më të mëdhenj, nga klubet, te yjet e futbollit e për të vazhduar me trajnerët dhe menaxherët.

Dokumentet pritet të publikohen këtë të dielë, duke evidentuar sesi personazhet më të rëndësishëm, që kanë më tepër influencë dhe paguhen në shifrën e miliona eurove në vit, arrijnë të shmangin taksat duke krijuar kompani në parajsat fiskale.

Hetimi i realizuar nga 12 media europiane zbulon sekretin e biznesit të topit. Edhe pse emrat e parë të përfshirë ende nuk janë publikuar zyrtarisht, zbulohet se mes personazhëve të përfshirë janë Cristiano Ronaldo dhe Jose Mourinho.

Sipas të dhënave, nga viti 2009 deri më 2014, Cristiano Ronaldo ka transferuar mbi 70 milionë euro të përfituara nga sponsorët, në llogaritë bankare të Tollin, një kompani e regjistruar në Ishujt Virgjin Britanikë, një parajsë fiskale në Karaibe.

74 milionë euro të tjera, ylli i Realit i ka transferuar në një llogari bankare në Zvicër, deri në vitin 2014, kur i shiti të drejtat e imazhit nga viti 2015 deri më 2020 te Peter Lim, një biznesmen nga Singapori, transmeton tch.

Në këtë mënyrë, Ronaldo i ka paguar taksave një shifër minimale nga të ardhurat stratosferike, ndërsa përllogaritet që i ka fshehur tatim-taksave rreth 150 milionë euro.

Në qendër të evazionit fiskal është portugezi Jorge Mendes, menaxheri i Cristiano Ronaldos, që ka një tjetër klient mjaft të njohur në futboll dhe po aq të paguar si Josè Mourinho.

Ndërmjet vitit 2010 deri më 2013-ën, përpara se të transferohej në Angli te Chelsea dhe më pas te Manchester United, “Special One” drejtoi Reali Madridin dhe në vitin 2014 ishte nën hetim nga Zyra e Taksave në Spanjë, ku për të mbyllur çështjen pagoi 5,5 milionë euro taksa të prapambetura dhe gjoba.

Të tjerë të akuzuar nga yjet e futbollit janë Radamel Falcao, Mesut Ozil, ndërsa në IItali të përfshira në skandal janë 6 skuadra të Serisë A: Juventusi, Interi, Milani, Roma, Napoli dhe Torino. Tashmë të gjithë presin me ankth të dielën, për të zbuluar detaje nga skandali me emrin Football Leaks.

Exit mobile version