Telegrafi

Fonte: Ronaldo e ka lënë derën hapur te Reali, nuk befasohem nëse kthehet

Mbrojtësi portugez, Jose Fonte ka thënë se kthimi i Cristiano Ronaldos në Real Madrid nuk do të ishte befasuese për të, pasi ylli i Juventusit e ka lënë derën hapur.

Fituesi i pesëfishtë i Topit të Artë mori vendim për t’u larguar nga Santiago Bernabeu gjatë verës së vitit 2018 për të kaluar te Juventusi.

Pas nëntë vitesh rekordesh në kryeqytetin spanjoll, Ronaldo zgjodhi të marrë përsipër një tjetër sfidë të re në karrierën e tij të jashtëzakonshme.

Lexo po ashtu Pedro zbulon një histori interesante konfrontimi me Ronaldon - CR7 e pyeti kush je, përgjigja e spanjollit ishte epike

Megjithatë, bashkëkombësi i tij, Fonte, me të cilin fituan së bashku Euro 2016, mendon se Ronaldo mund të kthehet në Bernabeu pasi e ka lënë derën e hapur.

“Unë e di që ai e do Madridin, kjo është e sigurt. Është e qartë se ai e do klubin, është një nga klubet më të mëdha në botë, nëse jo edhe më i madhi”, ka thënë fillimisht Fonte për talkSport.

“Ai ka lënë shumë, shumë miq atje dhe ai gjithmonë e ka lënë derën hapur”.

“Kështu që unë nuk do të befasohem nëse ai kthehet në Real Madrid”, përfundoi portugezi. /Telegrafi/