Telegrafi

FMN përgëzon Mustafën për mos rritjen e rrogave

25 përqindëshi i rritjes së rrogave që ishte premtuar nga ish-kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, e që më vonë u refuzua nga kryeministri Isa Mustafa, është përgëzuar sot edhe nga shefi i misionit të FMN-së për Kosovën, Jacques Miniane.

Miniane citohet të ketë thënë se vendimi që pagat të lëvizin konform zhvillimeve ekonomike, është vendim i guximshëm në të mirë të Kosovës.

Mustafa gjatë takimit thuhet të ketë diskutuar mbi zhvillimet e përgjithshme ekonomike në vend, me theks të veçantë mbi performancën e sektorit fiskal.

Sipas Mustafës korniza aktuale e Buxhetit të Kosovës duhet të jetë e orientuar në atë formë që të krijojë mundësi për zhvillim, sidomos në sektorin privat të ekonomisë.

Gjatë këtij takimi, kryeministri Mustafa dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, diskutuan me përfaqësuesit e FMN-së edhe për projektet kapitale dhe agjendën e implementimit të tyre.

Në këtë takim thuhet se janë diskutuar edhe modalitetet e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe FMN-së dhe u pajtuan që në muajt në vijim të vlerësohet nëse Kosova ka nevojë për program me FMN-në si dhe të shihet se cili program është më i mirë për rrethanat ekonomike të Kosovës. /KP/