Site icon Telegrafi

FMN: Kjo Qeveri ka trashëguar një buxhet mjaft të keq për vitin 2015

Drejtues të Ministrisë së Financave kanë sqaruar sot marrëveshjen dhe programin që kanë arritur me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe rregullat fiskale që kanë qenë në programin e Qeverisë e që janë vendosur në programin e FMN-së. Me këtë rast, zyrtarë të FMN-së thanë se kjo Qeveri praktikisht ka trashëguar një buxhet mjaft të keq për vitin 2015.

 

Ministrit i Financave, Avdullah Hoti tha se qëllimi kryesor i këtij takimi është që ta qartësojnë edhe një herë marrëveshjen dhe programin që kanë arritur me Fondin Monetar Ndërkombëtar, sepse disa informata, sipas tij, kanë qenë jo të sakta dhe jo të drejta për marrëveshjen me FMN.

 

“Disa informata kanë qenë jo të sakta dhe jo të drejta për marrëveshjen me FMN. Në fund të vitit të kaluar, më 29 dhjetor ne kemi aprovuar në Kuvendin e Kosovës projekt buxhetin e Kosovës për vitin 2015. Edhe atëherë kemi thënë se ai buxhet në disa aspekte nuk prezanton gjendjen reale për të hyrat dhe rrjedhimisht tek shpenzimet. Atëherë kemi thënë se do e rishikojmë këtë buxhet në mesin e vitit”, tha Hoti.

 

Sipas tij, në shkurt është aprovuar programin qeverisës, i cili ka një varg të reformave fiskale, reformave administrative, reformave strukturore etj.

 

Ai tha se në këtë program janë futur, mes tjerash, Ligji i prokurimit publik, aplikimi i prokurimit elektronik, si dhe nevoja për të hyrë në marrëveshje ndërkombëtare për kredi të buta për të financuar projekte.

 

Ai tutje tha se nuk është program i një anshëm, dhe se Qeveria e Kosovës nuk ka nevojë për program me Fondin Monetar, sepse vendi nuk është në pozitë të vështirë fiskale.

 

Sipas tij, kanë hyrë në program me Fondin Monetar për të ndihmuar Qeverinë në disa reforma që janë fundamentale.

 

Përfaqësuesi i FMN-së, Frank Lakwijk me këtë rast theksoi se Qeveria praktikisht ka trashëguar një buxhet mjaft të keq për vitin 2015 dhe ka qenë shumë e qartë se kjo Qeveri e re nuk ka pasur dëshirë të vazhdojë me atë, por ka dashur të korrigjojë.

 

Sipas tij, pjesët kryesore të rregullës fiskale janë të njëjta, nuk janë ndërruar duke përfshirë edhe limitin prej 2 për qind të deficitit.

 

Por në rregullin fiskal ka pasur një dispozitë që në rastet e caktuara të fondeve mund të përdoren për investime kapitale.

 

“Por, ka qenë edhe një gjë shtesë. Inovacioni ka qenë që Qeveria ka thënë se ne dëshirojmë ta kontrollojmë buxhetin – por në të njëjtën kohë Kosova ka nevoja të mëdha zhvillimore. Kemi ardhur deri te një zgjidhje. Zgjidhja ka qenë që të bëjmë një ndryshim në rregullën fiskale. Pjesët kryesore të rregullës fiskale janë të njëjta, nuk janë ndërruar duke përfshirë edhe limitin prej 2 për qind të deficitit. Por në rregullin fiskal ka pasur një dispozitë, që në rastet e caktuara të fondeve mund të përdoren për investime kapitale”, tha Frank Lakwijk.

 

Gjithashtu përfaqësuesi i FMN-së tha se kjo dispozitë ligjore, që veç ka qenë në rregullën fiskale, tash do të ndërrohet në mënyrë që t’i lejohet qeverisë që të marrë kredi nga institucionet ndërkombëtare.

 

Sipas tij, ka pasur disa gjëra që kanë qenë në programin e Qeverisë që janë vendosur në programin e FMN-së.

 

Mirëpo, siç tha ai, ato që kanë qenë më të rëndësishmet janë vendosur në program.

 

Ndryshe, sipas ministrit Hoti pritet që nga Banka Botërore gjatë këtij viti të këtë donacione për disa projekte, edhe pse nuk ka treguar se sa pritet të jetë shumë e këtyre mjeteve. /Telegrafi/

Exit mobile version