Për dallim nga herët tjera, SHBA-të dje kanë festuar ditën e pavarësisë (4 korrikun) me një paradë ushtarake ku janë prezantuar aeroplanë, helikopterë, tanke e makineri tjera luftarake.
Për të funksionuar gjithçka si ishte planifikuar, janë angazhuar një numër i madh i personave që morën pjesë vullnetarisht në organizimin e festës së 4 korrikut në Washington, transmeton Telegrafi.
Në rrugët kryesore të qytetit kishin dalë mijëra qytetarë për të ndjekur nga afër paradën ushtarake si dhe fjalimin e presidentit Donald Trump, i cili personalisht kishte kërkuar që fluturaket dhe mjetet e tjera luftarake të ekspozohen para masës.
E më poshtë do t’ju sjellim numrin e llojin e aeroplanëve, helikopterëve, tankeve dhe makinave tjera ushtarake të blinduara, që u ekspozuan dhe dhuruan spektakël nëpër rrugët e Washingtonit.
Fillimisht është shfaqur aeroplani presidencial i njohur si Air Force One, më pas gjashtë aeroplanë F-18 të njohur edhe si “Engjëjt e kaltër”. Për ta bërë atmosferën sa më impozante, qiellin e “pushtuan” edhe fluturaket e rojeve bregdetare të tipit MH-60 (një), MH-65 (një)/C-130 (një).
Megjithatë ajo çfarë ka zgjuar më së shumti kureshtje sa i përket fluturakeve, ishte bombarduesi B-2 që konsiderohet si “mbreti i qiellit” dhe ushtria amerikane me mburrje e prezantoi para qytetarëve të saj.
Gjithashtu u prezantuan dy aeroplanë tjerë luftarakë F-22, V-92 (një) si dhe V-22 (dy). Në qiell u ngritën edhe helikopterët më të sofistikuar luftarakë Apache AH-64 (katër), që kishin marrë pjesë edhe gjatë sulmeve ajrore gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Pjesë e spektaklit në ajër ishin edhe F-35 (dy) dhe F-18 (dy).
Sa i përket makinerive tjera ushtarake që morën pjesë në paradë ishin dy tanke të lloji M1A2 Abramsh, veturat e blinduara M2 Bradley (dy), M88 (dy) dhe një kamion “Contact”. /Telegrafi/