Site icon Telegrafi

Floriani 15 vjeçar, konkurenti serioz i estradës

Megjithëse i ri në moshë, këngëtari Florian Beqiri është ndër artistët më të pëlqyer nga të gjitha moshat.

I riu shkupjan kishte një agjendë të ngjeshur me koncerte dhe mbrëmje të shumta muzikore këtë verë, gjithmonë në shoqërinë e Adrian Gaxhës dhe Lindon Berishës, një treshe artistike kjo, e cila ka ndezur publikun në çdo paraqitje të tyre.

“Këtë verë kishim shumë koncerte dhe udhëtimet në vende të ndryshme ishin pak të lodhshme, por vullneti madh që kishim dhe pritja e mirë e publikut kudo që performuam na bëri që e gjithë lodhja të harrohet”, tha për Telegrafin Floriani.

Artisti simpatik që jemi mësuar gjithmonë ta shohim të shoqëruar nga Adriani shtoi se ende nuk ka ardhur momenti për të mbajtur një koncert vetëm, por se kjo do të ndodhë në një të ardhme.

“Për momentin jam duke menduar vetëm për ngritjen time artistike. Pas një kohe kur do të kem më shumë këngë solo do të jem i aftë edhe të performoj vetëm”.

Ndryshe Floriani pas bashkëpunimit të suksesshëm me Lindonin, është duke punuar rreth projektit të ardhshëm, i cili është ndryshe nga ato paraprake.

Kënga, e cila është një baladë dhe i kushtohet nënës, është në përfundim e sipër dhe së shpejti do të publikohet e realizuar me videoklip. /Telegrafi/

Exit mobile version