Telegrafi

BE flet për takimin e 4 majit në Berlin mes kancelarit gjerman me Kurtin e Vuçiqin – thotë se synon të mbështesë dialogun

Foto: Arkiv

Të mërkurën e 4 majit, kancelari gjerman, Olaf Scholz do të pres në Berlin, në takime të ndara, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Po atë ditë, në Berlin do të udhëtojë edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ky i fundit fillimisht do të takohet me kancelarin Scholz e pastaj do të zhvillojë takim jozyrtar të veçantë me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano

Kështu ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Me ftesë të kancelarit Scholz, emisari Lajçak do të udhëtojë gjithashtu në Berlin për t’u takuar me kancelarin dhe më pas për të zhvilluar një takim jozyrtar të veçantë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti”, thuhet në përgjigjen e Stanos.

Takimi shtoi ai, synon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan për herë të parë më 15 qershor të vitit 2021 në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Takimi i dytë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit ndodhi më 7 korrik 2021 dhe që atëherë nuk ka pasur takime të reja në nivel të lartë. /Telegrafi/