Telegrafi

Flet kundërkandidati i Vjosa Osmanit për President, thotë se është kandidat serioz

Kundër kandidati i Vjosa Osmanit për President, Nasuf Bejta ka thënë se është pretendent serioz për të marrë pozitën e të parit të shtetit.

Nasuf Bejta i cili ishte kandidat për deputet nga Lista “Guxo”, në listën e Lëvizjes Vetëvendosje i tha Telegrafit se pretendon të fitojë në garën për President të Kosovës.

“Po jam kandidat për President. Natyrisht mendoj se do të fitoj, përndryshe nuk do t’i hyja kësaj gare”, tha Bejta.

I pyetur nëse tashmë është dorëzuar kërkesa për seancë të jashtëzakonshme në Kryesinë e Kuvendit, ai u shpreh se janë duke u bërë përpjekje që kjo kërkesë të dorëzohet sot.

Lexo po ashtu LVV mbledh nënshkrimet për mbajtjen e seancës për votimin e Presidentit

Ndryshe, burime brenda Lëvizjes Vetëvendosjes kanë thënë se nënshkrimet për dy kandidatët e nevojshëm për tu mbajtura seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës janë të gatshme.

Dy kandidatë për presidentë tashmë kanë mbi 30 nënshkrime për thirrjen e kësaj seance.

Nuk dihet ende se kur do të mbahet seanca por, Lëvizja Vetëvendosje duhet ta dorëzojë fillimisht kërkesën për seancë të jashtëzakonshme në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, të cilët pastaj do të vendosin për mbajtjen e seancës. /Telegrafi/