Dy pacientët të cilët morën lëndime të rënda trupore (djegie të sipërfaqes trupore) nga shpërthimi i bombolës së gazit në Ferizaj, mëngjesin e hershëm të së mërkurës janë dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Turqi, ndërsa pritet konfirmimi i autoriteteve turke për dërgimin edhe të dy pacientëve të tjerë, në mesin e tyre është edhe një 20 vjeçare.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin, drejtori i Klinikës Intensive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Shaqir Uka.
Uka po ashtu tha se në planifikim për t’i dërguar jashtë vendit për trajtim të mëtutjeshëm kanë qenë gjashtë pacientë, por për arsye se autoritetet turke nuk kanë pasur mundësi t’i pranojnë të gjithë, kanë pranuar t’i trajtojnë vetëm katër prej tyre.
“Nga gjashtë pacientë të cilat kanë qenë duke u trajtuar në mjekimin intensivë, pesë prej tyre në mjekimin intensivë qendror dhe një mjekimin intensivë të kardiokirurgjisë të cilët kanë qenë të planifikuar për dërgim të mëtutjeshëm jashtë vendit, dy prej tyre janë dërguar sot në orët e hershme të mëngjesit në Turqi. Planifikohet dhe pritet të marrim konfirmim për orën dhe kohën kur do të mund të dërgohen dhe dy tjerë, të cilët janë planifikuar për sot. A do mundet të realizohet kërkesa e tyre sot, ende nuk kemi konfirmim nga autoritet turke. Planifikimi ka qenë që të dërgohen vetëm 6 pacientë, nga autoritetet turke kemi marrë konfirmim që mund t’i dërgojmë vetëm katër pasi aq kanë mundur të sigurojnë vende në spitalet e tyre. 20 vjeçarja është pacientja e cila është në plan për tu dërguar, e cila është në grupin e dytë”, ka thënë Uka.
Sa i përket dy pacientëve të tjera ai tha se janë në pritje që t’ju gjendet hapësirë për trajtim, edhe pse për momentin janë nën kujdesin e ekspertëve vendor.
“Kurse dy të tjerët janë në pritje që në orët dhe ditët në vazhdim të gjendet hapësirë që të mund t’i dërgojmë dhe ata”, tregoi ai.
Mirëpo se si është bërë selektimi i tyre për tu dërguar në Turqi, Uka sqaroi: “Përzgjedhja e pacientëve është bërë në bazë të shkallës së sipërfaqes së djegies. Ata që kanë pasur përqindje më të madhe të sipërfaqes së djegies dhe gjendja e tyre ka qenë më kritike. Kështu është bërë përzgjedhja nga konsorciumi i mjekëve të Kirurgjisë Plastike dhe reanimator”.
Drejtori Uka po ashtu tha se dy pacientët të cilët janë dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Turqi janë të moshës, 45 vjeç dhe tjetri rreth 35 vjeç. /Telegrafi/